Studimi: Vetëm Hazard mund të krahasohet me Messin
Shumë pak lojtarë mund të krahasohen me yllin argjentinas Leo Messi, me këtë të fundit që ka konsoliduar pozitat si një nga lojtarët më të mirë në histori të lojës më të ndjekur në planet.
Mirëpo, një studim me 70 mijë futbollistë të cilët aktivizohen në 2300 ekipe në botë, ka rezultuar se i vetmi që i afrohet talentit të Messit është ylli i Chelseat, Eden Hazard.
Kompania analitike “Driblab” ka zgjedhur disa nga elementët kur ka krahasuar numrat e Messit me këta futbollistë dhe rezulton se belgu i afrohet Messit me 92%.
Studimi është bërë në 12 fusha si, ndikimi në lojë, golat e shënuara në krahasim me gjuajtjet, golat e pritura për ndeshje, goditjet drejt kuadratit të portës, prekjet në zonën kundërshtare, asistet e pritshme, pasimet vendimtare, numri se sa herë kanë humbur topin, presingu dhe gjuajtjet në total.
Madje, Hazard në disa prej tyre ka dalë të ketë statistika më të mira se Messi.
Pas Hazardit, lojtari që i afrohet më shumë talentit të argjentinasit është Kylian Mbappe me 91.3%, ndërsa i treti është Sergio Aguero me 91.1%.























