Yagcilar: Reforma e administratës publike prioritet themelor për Qeverinë
BKT
Lajme

Yagcilar: Reforma e administratës publike prioritet themelor për Qeverinë

Është mbajtur sot takimi i Grupit të Veçantë për Reformën e Administratës Publike, ku është thënë se Kosova ka shënuar arritje të rëndësishme për agjendën e reformës së administratës publike në Kosovë. Megjithatë, është thënë se ende ka sfida me të cilat përballet vendi në administratën publike.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se procesi i reformës së administratës publike është një prioritet themelor për qeverinë, derisa theksoi se viti 2018 shënon arritje shumë të rëndësishme për agjendën e reformës së administratës publike në Kosovë.

Ai tha se Qeveria ka miratuar një plan të ri veprimi për periudhën 2018-2020 për zbatimin e Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike 2015-2020, sipas tij plani i ri i veprimit bazohet në një buxhet realist që pothuajse është plotësisht i mbuluar nga programet ekzistuese të qeverisë.

Gjatë vitit 2018, ministri tha se kanë punuar në paketën më të plotë të reformës legjislative për administratën publike, ku theksoi se në fillim të këtij viti janë miratuar Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, Ligji për Zyrtarët Publik dhe ai për Pagat në Sektorin Publik.

Ministri Yagcilar tha se kanë filluar procesin e hartimit të legjislacionit sekondar për zbatimin e ligjeve, që sipas tij legjislacioni sekondar do të forcojë më tej një administratë publike etike, efektive, transparente dhe llogaridhënëse.

Në vitin 2018 për herë të parë ministri tha se kanë filluar të zbatojnë mbështetjen e drejtpërdrejtë buxhetore për procesin e reformës së administratës publike, pas negociatave të suksesshme dhe nënshkrimin e Kontratës së Reformës Sektoriale me Komisionin Evropian.

Kjo kontratë sipas ministrit ka prodhuar dhe ka nxitur rezultate shumë pozitive dhe konkrete, ku ai ka përmendur se 68.23 për qind e MSA-së është zbatuar duke e tejkaluar objektivin prej 60 për qind, 51 për qind e strategjive, dokumenteve konceptuale dhe ligjeve primare të miratuara nga qeveria në vitin 2018, kanë qenë subjekt i konsultimeve publike në përputhje me Standardet Minimale për Konsultimin Publik.

Po ashtu, ministri Yagcilar tha se kanë miratuar ndryshime legjislative në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale për të mundësuar, në bazë të një vendimi gjyqësor, pezullimin e zyrtarëve publik të paditur për veprat penale të korrupsionit dhe largimin e zyrtarëve publikë të dënuar për vepra penale të lidhura me korrupsionin,

Gjithashtu, ai tha se 48 për qind  e rekomandimeve të Avokatit të Popullit ndaj institucioneve të qeverisë qendrore të lëshuara në vitin 2017 dhe 2018, në të cilat institucionet janë përgjigjur pozitivisht, janë zbatuar, si dhe për herë të parë si Ministri kanë filluar me publikimin e një raporti për masat disiplinore në shërbimin civil për shkelje të etikës dhe legjislacionit antikorrupsion

David Cullen nga Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim e Komisioni Evropian, tha se është i kënaqur nga rezultatet që ka arritur Kosova sa i përket administratës publike. Megjithatë ai u shpreh se duhet të miratohet gjithë legjislacioni sekondar për të siguruar zbatimin e tyre.

Një çështje tjetër shqetësuese, Collen tha se vazhdon të jetë për Komisionin aftësia e Qeverisë që të sigurojë respektimin e plotë të ligjeve, që të jenë të buxhetuara plotësisht dhe të zbatueshme.

Koordinatori për Reforma Shtetërore Besnik Tahiri, ka thënë se një ligj shumë i suksesshëm është ai për zyrtarët publik, ku ai tha se me këtë ligj është goditur nepotizmi.

Tahiri ka prezantuar edhe ligjin për Qeverinë, ku ai tha se është ligji që e përmbyll pakon e ligjeve dhe se ka filluar procesin e konsultimit të brendshëm për ligj.

Ai tha se me ligjin e ri anëtar i Qeverisë mund të zgjidhen personat që nuk janë shpallur fajtor për vepra penale me dashje me një vendim të formës së prerë të gjykatës.

Po ashtu, ai bëri të ditur se anëtarët e Qeverisë dhe zëvendësministrat nuk mund të mbajnë asnjë marrëdhënie tjetër të punës në sektorin publik apo privat, përpos kur ajo ushtrohet në kornizë të detyrës zyrtare të anëtarit të Qeverisë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se ministria që drejton është duke mbajtur një rol aktiv në disa procese të rëndësishme reformuese që ndërlidhen ngushtë me procesin e reformës shtetërore si dhe zvogëlimin e barrës administrative dhe thjeshtëzimin të lejeve dhe licencave në Kosovë. 

Ministri Yagcilar tha se bazuar në Ligjin për Shërbime janë hartuar edhe Udhëzimi Administrativ për Procedurën e Njoftimit dhe Vlerësimin  e Përputhshmërisë së  Projekt Akteve  Normative me Ligjin për Shërbime dhe ai për Mënyrën e Funksionimit të Pikës së Vetme të Kontaktit.

Me këto udhëzime sipas tij, do të themelohet edhe Pika e Vetme e Kontaktit që do të japë informatat e duhura lidhur me ambientin e të bërit biznes në Kosovë.


MË SHUME NGA Lajme