Schutz: Bojkoti aspak i dobishëm për integrimin e Shqipërisë
BKT
Shqipëri

Schutz: Bojkoti aspak i dobishëm për integrimin e Shqipërisë

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Suzanne Schutz deklaroi sot se qeveria gjermane dhe parlamenti gjerman në bazë të raportit të Komisionit Evropian do të ndërmarrin hapin e ardhshëm logjik të integrimit të Shqipërisë në BE, domethënë hapjen e negociatave të pranimit në BE.

Duke folur në konferencën ndërkombëtare me titull “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”, Schutz tha se, “pas një jave Komisioni Evropian do të paraqesë raportin e tij të ardhshëm, ndër të tjera, lidhur me progresin e Shqipërisë në afrimin e përmbushjes së prioriteteve kyçe të reformës së BE. Në bazë të këtij raporti, qeveria gjermane dhe parlamenti gjerman do të marrin vendimin e tyre për hapin e ardhshëm logjik të integrimit të Shqipërisë në BE, domethënë hapjen e negociatave të pranimit në BE”.

Ambasadorja u shpreh e bindur se, “Shqipëria tashmë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur. Për shembull, reforma e drejtësisë, e cila dallon edhe në krahasim me progresin e bërë në këtë fushë nga vendet fqinje”.

Schutz theksoi se mbi 90% e shqiptarëve duan që vendi i tyre të jetë pjesë e “Klubit Evropian”.

“Duke parë Shqipërinë, tashmë një kandidate për anëtarësim në BE që nga 2014, sondazhet kanë konfirmuar në mënyrë të përsëritur, se mbi 90% e shqiptarëve duan që vendi i tyre të jetë pjesë e “Klubit Evropian”. Dhe kjo do të thotë të jesh pjesë e një Bashkimi Evropian, i cili u krijua si një Bashkim Paqeje dhe që qëndron fort për realizimin e demokracisë, sundimit të ligjit, lirisë së fjalës dhe medieve dhe krijimin e institucioneve të forta demokratike të afta për të garantuar këto standarde dhe vlera”, tha ajo.

Duke folur për situatën politike në vend, Schutz theksoi se, “polarizimi i thellë politik dhe bojkoti i institucioneve demokratike dhe i proceseve vendimmarrëse, megjithatë, kanë ngadalësuar ndjeshëm procesin e reformave dhe nuk kanë qenë aspak të dobishme në përparimin e vendit në rrugën e tij drejt integrimit në BE”.

Ajo shtoi se “këto zhvillime janë ndjekur nga afër edhe nga ata aktorë të jashtëm që kanë interes në këtë rajon. Prandaj, dëshiroj t’u kujtoj të gjithë politikanëve përgjegjësinë e tyre kundrejt popullit dhe votuesve të tyre për të vepruar në interesin më të mirë të vendit”.

Duke folur për Shqipërinë në NATO dhe rolin e vendit tonë në këtë Aleancë, Schutz theksoi se, “vetëm pak javë më parë, ne të gjithë festuam 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. 10 vjet janë një hapësirë kohore relativisht e shkurtër, gjatë së cilës, megjithatë, Shqipëria ka kryer një ristrukturim të jashtëzakonshëm të Forcave të saj të Armatosura dhe ka zhvilluar kapacitete unike, të vlerësuara sot nga të gjithë partnerët e NATO-s si një kontribut i rëndësishëm në misionet e NATO-s dhe në këtë mënyrë në sigurinë transatlantike dhe europiane. Jemi shumë të lumtur që, nëpërmjet qendrës ‘’George C. Marshall’’, të financuar bashkërisht nga qeveria gjermane dhe ajo amerikane, ne kemi qenë në gjendje të kontribuojmë në këtë zhvillim”.

“Jam e bindur se kjo është një temë shumë e rëndësishme, jo më kot, por sepse zhvillimet në këtë rajon kanë pasoja jo vetëm për vetë Ballkanin Perëndimor, por edhe përtej. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës, rrethohet nga shtetet anëtare të BE-së dhe për këtë arsye sfidat për këtë rajon i përkasin edhe BE-së. Kjo është arsyeja pse në vitin 2003 vendet anëtare të BE vendosën t’u japin të gjitha shteteve të këtij rajoni një perspektivë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kur diskutojmë rolin e të ashtuquajturve Aktorë të Tretë në këtë rajon, shpesh ka një ndjenjë theksuar rivaliteti për influencë. Unë jam e sigurt se ekspertët do të japin analizën e tyre gjatë kësaj konference deri në ç’masë janë këta aktorë në procesin e rritjes së kontakteve të tyre me Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë”, u shpreh ambasadorja Schutz.


MË SHUME NGA Shqipëri