Kritikat e presidentit Meta për EURALIUS dhe Reformën në Drejtësi
BKT
Shqipëri

Kritikat e presidentit Meta për EURALIUS dhe Reformën në Drejtësi

Presidenti Ilir Meta theksoi sot se nëse reforma në drejtësi do të ishte e suksesshme atëherë Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa Gjykatë Kushtetuese.

Gjatë fjalës së tij në konferencën ndërkombëtare me titull “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”, Meta tha se “ne po flasim për sukseset e mëdha të reformës në drejtësi. I jam shmangur publikisht. Por po bëhen tre vite nga miratimi i reformës në drejtësi, mund të them që nëse do të ishte vërtetë një sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa gjykatë Kushtetuese. Reforma nuk bëhet me retorikë dhe presion, por me standarde, nëse duhet me emra asnjëherë nuk është e qëndrueshme, por forma të reja për kapjen e institucioneve”.

“Të vijmë te rasti i Gjykatës Kushtetuese, se nuk mund të jem i qetë pa e nxjerrë këtë merak. Dy herë janë hedhur shortet e KED-së, që është institucioni kryesor për reformën në drejtësi. Kam bërë përpjekje të mëdha që gjithçka të bëhet sipas Kushtetutës. Herën e dytë si President, një papërgjegjshmëri totale edhe nga ndërkombëtarët.. Kam folur hapur, më takon të hedh shortin, por e dimë se çfarë ka ndodhur dhe hajde të ftojmë institucionet jashtë kamerave për të unifikuar qëndrimin e përbashkët, që të mos kemi debate dhe kontestime. Kërkova angazhimin me shkrim të delegacionit europian dhe EURALIUS që paguhet për këtë. Por EURALIUS  ditën e fundit i çon përgjigje Presidentit se nuk vijmë dot në takim se jemi mision teknik, që do të thotë se ke marrë porosi politike. Unë nuk e di nga u mor kjo porosi politike. Je mision dhe të fton Presidenti për Kushtetutën e një vendi, po ky EURALIUS si e jep një vërtetim një kryetari të komisionit të ligjeve për të zgjedhur një institucion që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën? Kjo nuk është drejtësi europiane. Kjo nuk do ta luftojë korrupsionin më shumë. Nuk do ta luftojë më shumë krimin e organizuar. Këto historitë e peshqve i keni dëgjuar dhe vazhdoni dëgjojini. Reforma do të jetë e suksesshme kur të ketë më shumë investime nga SHBA, Britania dhe të tjera”, tha Meta.

“U bëjmë të qartë kujtdo se Kushtetutën tonë nuk mund ta dhunojnë, as Presidenti dhe asnjë ambasador, diplomat apo komisioner. Në fillim të tetorit i kam thënë drejtorit për zgjerimin Danielson që jemi pa gjykatë Kushtetuese. Kam kërkuar në fillim të tetorit ne jemi në një situatë të tillë nëse flisni për sukses, por kemi kaq kohë pa gjykatë Kushtetuese. Prandaj i kam thënë sillni një mision vlerësimi për zbatimin për reformën, pasi po ikën kaq kohë, në mënyrë që të garantojmë që kjo është histori suksesi, pasi përmes kësaj do të jemi më të besueshëm për negociatat”, u shpreh Presidenti.

Presidenti Ilir Meta u shpreh se vendi ndodhet në një krizë serioze politike.

“Kemi krizë serioze në Shqipëri që nuk mund t’i shmangemi, duhet të sillemi me përgjegjësi, jemi vend i NATO-s, kemi detyrim të garantojmë sigurinë dhe si një vend që dëshiron të çelë negociatat. Pasi vendi pësoi 1997 u bë një Kushtetutë e jashtëzakonshme. Në vitin 2008 për dy ditë ia hoqëm të gjitha vidat Kushtetutës dhe kaluan nga sistemi parlamentar te sistemi i mbyllur partiak. Kjo është e vërteta për situatën që kemi sot. Dy partitë e opozitës në mënyrë të papranueshme kanë lënë mandatet, por sistemi ka qenë jo funksional edhe kur kanë qenë ata”, tha Meta.

Meta u dha përgjigje të gjithë atyre që thonë se përse kreu i shtetit nuk i ul Ramën dhe Bashën në tryezë për të zgjidhur ngërçin.

“Po dëgjoj njerëz duke thënë se çfarë bën Presidenti? Unë kam bërë atë që më takon. Presidenti nuk mund të ulë 2 apo tre njerëz që thonë nuk ulem me këtë se është kryeministër. Apo dikë tjetër që thotë se 30 qershori do të jetë një ditë e madhe për demokracinë në këto kushte që jemi . Kjo situatë kërkon përgjegjshmëri nga vendasit dhe aktorët ndërkombëtarë. Kërkon paanshmëri dhe gjithashtu se një situatë me probleme ne Shqipëri ndikon në rajon” tha Meta.

Sai përket dialogut Kosovë-Serbi, Meta tha se, Shqipëria në këtë çështje thjesht është një mbështetëse e këtij dialogu.

“Kur bëhet fjalë për dialogun Kosovë-Serbi, Shqipëria në këtë çështje thjesht është një mbështetëse e këtij dialogu, sepse në momentin që Shqipëria apo çdo aktor i Shqipërisë  hyn në këtë dialog cënon sovranitetin e institucioneve të Kosovës. Shqipëria ka njohur Kosovën, ka qenë në vendet e para, e njeh dhe do ta njohë gjithmonë dhe kjo do të thotë që ne duhet të respektojmë institucionet e Kosovës në dialogun me Serbinë. Kush thotë që do diskutojmë me Tiranën apo do kufizojmë serbët me shqiptarët mjafton të shohim atë filmin që kemi parë dekada më parë në Ballkan. Ne jemi në bashkëjetesë me shqiptarët, serbët, malazezët, kroatët etj. Nuk duhet të zbehim atë rol konstruktiv pozitiv që ka patur ka dhe duhet të ketë Shqipëria. Detyra jonë është të nxisim unifikimin dhe ndërtimin e konsensusit të brendshëm në Kosovë, këtë e kemi detyrim. Së dyti tu kërkojmë një bashkërendim me BE dhe SHBA. Nëse dikush mendon se duhet të angazhohet më shumë SHBA dhe më pak BE apo e kundërta, kjo është e gabuar”, tha Meta.

Presidenti u shpreh se, “nuk ka komb në Ballkan që ka përfituar më shumë se shqiptarët nga rënia e perdes së hekurt. Sepse nuk ka pasur komb në Ballkan që ka qenë më i shtypur se shqiptarët para 90-ës. Shqiptarët në Shqipërisë dhe kuptohet dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi. Dhe po të shohim sot kush ka përfituar më shumë shqiptarët dhe Shqipëria.  Ne atë kohë ishim thjesht një Kore e Veriut në atë kohë. Dëgjojmë shpesh. Pse të mos bashkohen të gjithë shqiptarët? Por pse të mos bashkohen të gjithë serbët, kroatët, boshnjakët dhe këto delirime gjoja patriotike më shumë sesa folklorizëm janë diabolizëm i gjallë”.

Sipas tij, “është përpjekje e politikanëve autoritarë për t’u shmangur nga llogaridhënia e brendshme dhe për të provokuar tema që spostojnë vëmendjen e opinionit në mënyrë të koordinuar. E bëjnë si në volejboll, njëri pason dhe tjetri zhyt dhe çfarë ndodh? Ikin të rinjtë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Bosnja nga kudo dhe na ftojnë të shohim nëj film që e kemi parë shumë herë këtu në Ballkan. Dëgjojmë që serbët dhe shqiptarët janë popujt kryesorë të rajonit, është tjetër të thuash atë që bëri Franca me Gjermaninë që pas luftës nxorën mësime dhe është tjetër të thuash këtë të Ballkanit, pasi në Ballkan çdo popull është më i madhi, askush nuk pranon”.

Meta u shpreh se, “nuk rivizatohen kufijtë aq kollaj. Ne e dimë sa marrëdhënie të mira janë mes Malit të Zi dhe Kosovës, por për një marrëveshje demarkacioni e dimë mirë se çfarë ndodhi. Një pakicë e vogël e bllokoi dhe bëhet fjalë për disa pyje që as qentë nuk jetojnë në dimër dhe jo ku jetojnë njerëz dhe ku ka varre, kisha dhe xhami e amanete. Dua të bëj të qartë, ne i kemi të gjitha mundësitë sikur e kemi treguar që të jemi faktor stabilizues”.  /ATSh


MË SHUME NGA Shqipëri