“The Sun”: Tottenham gati 40 milionë euro për Strakoshën
BKT
Sport

“The Sun”: Tottenham gati 40 milionë euro për Strakoshën

Nuk kanë fund zërat e merkatos për Thomas Strakoshën. Portieri i kombëtares sonë që nga muaji janar është në qendër të vëmendjes së ekipeve angleze.

“Gardiani” i ditëlindjes 1995, shihet si një nga portierët më të mirë në qarkullim dhe për pasojë ai ka përfunduar edhe në listën e Tottenhamit prej kohësh, por pa harruar edhe skuadra të tjera.

Interesimi i “Spursave” është konkret, teksa sipas tabloidit “The Sun”, ata janë të gatshëm që të ofrojnë 40 milionë euro për të bindur Lazion që ta lërë të lirë. Një shifër e tillë duket e mjaftueshme për Taren dhe Lottiton, që kishin vendosur këtë kufi për të filluar negociatat për të ardhmen e tij.

Strakosha mund t’i thotë po një aventure në Premier League, për më tepër që do të bëhet pjesë e klubit që ka stadiumin dhe fushat stërvitore më moderne në Europë.

Do të ishte një hap gjigant në karrierën e tij. Lazio ndërkohë duket se ka filluar ta mendojë të ardhmen edhe pa të. Bardhekaltrit janë të interesuar për portierin e Fiorentinës, Lafont, i cili mund të blihet për një shifër shumë më të ulët, 10 milionë euro, transmeton KJ.

Mosha e tij e re, vetëm 20 vjeç, ka bindur Lazion që të besojë te ai, pasi kërkon të përsërisë besimin që i dha Strakoshës.