Zgjedhjet për PE: Nuk pritet ndryshim i konsiderueshëm për heqjen e vizave
Muharrem Saragjolli
Rezultatet preliminare për Parlamentin Evropian nuk japin shpresë se do të ketë ndryshim të konsiderueshëm sa i përket disponimit për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Njohësja e politikave evropiane, Gjeraqina Tuhina, ka thënë për Radio Kosovën se çdo gjë varet nga Franca, e cila deri më tani ka shprehur kundërshtim të hapur për liberalizim.
Për herë të parë pas 40 viteve dy të mëdhenjtë, EPP dhe S&D, e kanë humbur shumicën në Parlamentin Evropian. Ata kanë fituar 44% të votës së përgjithshme, gjë që shënon rënie nga 54% në 2014. Pasi që ky "koalicion i madh" nuk do të ketë shumicën, kjo familje politike do të duhet të punojë me grupet e tjera në Parlamentin Evropian për të formuar koalicionin e ardhshëm qeverisës të institucioneve të BE-së. Ndryshimet në rezultate, nuk janë të vogla, por as të frikshme, ka thënë për Radio Kosovën, Gjeraqina Tuhina.
“Gjëja më e rëndësishme është se e djathta ekstreme nuk ka fituar aq shumë sa është frikësuar gjatë fushatës parazgjedhore. Çka ka ndryshuar në Parlamentin Evropian është qendra. Nuk ka më monopol të partive të mëdha, të cilat tradicionalisht kanë mbajtur shumicën në Parlament, qendra e majtë dhe qendra e djathtë, kjo falë rritjes së dukshme të liberalëve të cilat tash do të bëhen çelësi për vendime të mëdha”, tha Tuhina.
Çështja e zgjerimit të BE-së tani do të bëhet më e rëndë se sa më e lehtë, vlerëson Tuhina. E sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, problem mbetet Franca, thotë ajo.
“Mbetet të shihet nëse do e ndryshojë qëndrimin partia e kryetarit aktual, Emanuel Macron, i cili deri më tani ka bllokuar vendim-marrjen e liberalizimit të vizave sa i përket Kosovës. Në dritën e rezultateve kur e djathta ekstreme, ndonëse jo shumë, mirëpo doli e para në krahasim me partinë e Emanuel Macron atëherë bëhet edhe më i vështirë që të ndryshohet qëndrimi sa i përket liberalizimit të vizave”, ka thënë ajo.























