Oficeri shqiptar diplomohet në Akademinë e Marinës Amerikane
BKT
Shqipëri

Oficeri shqiptar diplomohet në Akademinë e Marinës Amerikane

Akademia e Marinës Amerikane është ndër institucionet më prestigjioze që përgatit kuadro-elitë të ushtrisë amerikane. Mario Trupja, është studenti i dytë shqiptar që diplomohet nga kjo akademi dhe që do të shërbejë me forcat detare shqiptare në kuadër të një programi që mundëson aftësimin e një brezi të ri ushtarakësh në vendet anëtare të NATO-s.

Ceremonia e diplomimit në Akademinë e Marinës Amerikane është një eveniment jo si shumë të tjerë, në këtë sezon të përfundimit të studimeve për shumë studentë amerikanë dhe ndërkombëtarë.

Mario Trupja, nga Shqipëria, është ushtaraku i dytë i diplomuar në këtë shkollë prestigjioze. Ai ecën krenar mes 1052 studentëve që përfunduan studimet këtë vit në këtë akademi, pas një pune të mundimshme katër vjeçare.

“Ka qenë e vështirë. Ka patur etapat e veta. Shoku i parë kulturor, ushqimi, shoqëria, gjuha, duhet të mësoheshe në fillim me mënyrën e jetesës. Plus që akademia kishte traditat e veta që duhet të mësohesha, trajtimi, orari shumë i ngjeshur…. Normalisht tani është një moment shumë i veçantë, është momenti kulminant i gjithë asaj pune”, thotë Mario.

Shkollimi në Akademinë e Marinës Amerikane ndërthur një stërvitje të fortë fizike dhe punë akademike rigoroze në një degë si ajo e inxhinierisë dhe arkitekturës detare ku u diplomua, Mario.

“Me stërvitjen mësohesh, sepse vetë ambienti të kalit. Por pjesa akademike gjithmonë të ofron një sfidë më shumë. Dega ime ishte arkitekturë dhe inxhinieri navale, që ka të bëjë me dizenjimin e anijeve, mjeteve lundruese dhe paçka që më pëlqen shumë ajo që bëja, prapë është e vështirë, kështu që ajo besoj ka qënë sfida më e madhe”, theksoi Mario.

Megjithëse vetëm më pak se një për qind e studentëve që pranohen në këtë akademi janë ndërkombëtarë, Mario thotë se nuk është ndjerë asnjëherë i huaj dhe ka krijuar këtu shoqëri të çmuara.
“Në momentin që vjen ditën e parë, … të gjithë marrin të njëjtën prerje flokësh – zero, kështu që të gjithë bëhen bashkë – një – dhe nuk ka dallime dhe ajo është pjesa më e veçantë besoj, që të kesh aq shumë shoqëri të mirë… Shoqëria është një nga gjërat më të bukura që kam marrë nga ky vend”, tha Mario.


MË SHUME NGA Shqipëri