KE rekomandon çeljen e negociatat me Shqipërinë
Komisioni Evropian ka paraqitur para Parlamentit Evropian raportet e progresit për shtetet në procesin e zgjerimit, ku përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia. Johannes Hahn, Komisioneri i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, edhe kësaj radhe ka rekomanduar çeljen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Ne kemi folur për strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Raporti i këtij viti parashtron progresin që kanë bërë vendet e Ballkanit perëndimor. Mbeten shumë sfida. Ne do paraqesim të njëjtin rekomandim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Zbatimi i ligjit dhe stabiliteti mbeten disa nga pikat që duhet të zbatojnë këto vende.
Në leximin e progres-Raportit, Komisioneri Hahn u shpreh se “Shqipëria është duke bërë reforma, transformim të rëndësishëm në fushën e drejtësisë. Ky është një shembull edhe për vendet e tjera. Të dyja vendet kanë bërë progrese. Në këtë bazë komisioni rekomandon hapjen e negociatave për të dy vendet. Ato i janë përgjigjur strategjisë për Ballkanin, jam i kënaqur të shikoj sesi Shqipëria ka ndjekur reformën në drejtësi, sidomos në sistemin gjyqësor, rivlerësim të paprecedentë të prokurorëve dhe gjykatësve. Edhe në lidhje se si Maqedonia e Veriut zgjidhi çështjen e emrit. Komisioni rekomandon që Këshilli të hapë negociatat tani me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Hahn.
Duke lexuar raportin, Hahn ka kërkuar që të kihen parasysh investimet kineze në Ballkan.
“Sfida e tretë për këto vende është ekonomia. Vendet duhet të zbatojnë reforma në sajë të përmirësimit të ekonomisë. BE është partneri ynë kryesor por duhen marrë në konsideratë edhe investimet e Kinës”, tha ai.
Pas marrjes serish të rekomandimit për çeljen e negociatave nga Komisioni Evropian, janë vendet anëtare që do të vendosin për këtë propozim. E vendimi final i takon Këshillit të ministrave të jashtëm të vendeve BE, që do të mblidhen në qershor.
Holanda dhe Gjermania do të marrë miratimin e Parlamentit për të vendosur pro këtij vendimi, teksa Franca dhe Belgjika janë skeptike për të vijuar me zgjerimin e BE në këtë kohë.
Në lidhje me Serbin dhe Malin e Zi, zoti Hahn tha se këto dy vende duhet të rrisin përpjekjet e tyre në lidhje me çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.
“Serbia dhe Mali i Zi, duhet të rrisin përpjekjet në punën e tyre. Kjo është më e rëndësishmja dhe kushti për të ecur përpara në rrugën e integrimit. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, këto dy vende duhet të vazhdojnë. Kosova duhet të heqë tarifat për Serbinë dhe Bosnjën. Tarifat për Serbinë dhe Bosnjën, duhet të hiqen. Kosova duhet të bazohet në marrëveshjen e MSA-së”, tha Komisioneri i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn./TCH























