Rama: Opozita duhet të lërë pas përpjekjet destruktive
“Raporti i Komisionit Evropian jep një indikacion shumë të qartë në lidhje me opozitën që nuk është në parlament dhe në lidhje me atë që kjo opozitë duhet të bëjë sot në vend që të vazhdojë me atë që po bën”.
Kryeministri Edi Rama duke folur nga foltorja e Kuvendit për raportin e KE dhe rekomandimin për hapjen e negociatave pa kushte me Shqipërinë, theksoi se mazhoranca qeverisëse është e vendosur për dialog.
“Ne mbetemi të vendosur që të stimulojmë një proces dialogu me opozitën por pa diskutim nuk kemi gatishmëri për të negociuar Kushtetutën si ligj themelor që na imponon të gjithëve ta respektojmë, në funksion të zgjidhjeve që i përkasin popullit sovran dhe jo partive”, theksoi Rama.
“Jemi për dialog me opozitën jashtëparlamentare po nuk do negociojmë legjitimitetin dhe detyrimin për vazhdimësinë e këtij parlamenti, detyrim që buron nga një mandat i qartë në bazë të të cilit për ne është e pamundur që atyre që na kanë zgjedhur t’u themi na falni po ata që nuk i zgjodhët do kenë prioritet në raport me ju që na zgjodhët të qeverisim”, theksoi Rama.
Kryeministri tha nga foltorja e Kuvendit se mes rekomandimit pa kushte për hapjen e negociatave dhe vendimit politik nga Këshilli i Evropës ka hapësirë jo vetëm kohore por edhe subjektivizmi politik ku Shqipërisë i takon të bëjë të vetën dhe partive u takon të jenë bashkë në një zë.
“Por fatkeqësisht mjafton të shohësh reagimet e opozitës rrugore për raportin, dhe të kuptosh se nuk ka asnjë vullnet për të bashkuar zërin me ne, apo edhe me 90% të shqiptarëve që duan integrimin në Bashkimin Evropian. Përkundrazi, ka një vendosmëri për të vijuar përpjekjen destruktive dhe furnizimin me alibi dhe justifikime negative të të gjithë atyre që për arsyet e tyre nuk e duan as zgjerimin e Evropës dhe aq më pak, negociatat me Shqipërinë”, theksoi Rama.
“Kjo është e pakuptimtë dhe e pajustifikueshme në aspektin strategjik, se negociatat nuk janë të një partie apo qeverie, dhe negociatat nuk mbarojnë brenda një mandati. Eshtë një proces ku të gjitha palët kanë pasur detyrat dhe rolin e tyre. Opozita si peng i axhendës së brendshme dhe peng të një rruge politike qorre, dalja nga parlamenti, molotovët e kapsollat kundër institucioneve dhe në fund duke deklaruar se nuk do lësh popullin të shkojë në zgjedhje, kjo është e paparë në çdo vend që ka kaluar këtë proces”, theksoi kryeministri. /ATSh























