Soreca: KE rekomandim pozitiv pa kushte, tejkaloni ndasitë politike
Komisioni Evropian ka dhënë një rekomandim pa kushte për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe tashmë topi kalon në fushën e Këshillit për të dhënë vendimin pozitiv.
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, ambasadori Lugi Soreca, i dorëzoi sot raportin e progresit të Komisionit Europian, Komisionit të Integrimit Evropian në Kuvend.
Soreca theksoi se, “Komisioni i Integrimit do të ketë mundësi të shqyrtojë të gjithë elementët e raportit dhe do të ketë mundësi gjithashtu që të përcaktojë masat që do të duhet të përmbushen në të ardhmen. Sepse raporti është për t’u shqyrtuar, për të nxjerrë masat dhe për t’u zbatuar më pas elementët e nevojshëm për përmbushjen e tij”.
“Jam i lumtur që japim këtë rekomandim pozitiv për Shqipërinë, i cili është pa kushte dhe duhet ta theksoj këtë element edhe njëherë. Tani topi është në fushën e Këshillit që duhet të marrë një vendim lidhur me çeljen e negociatave të Shqipërisë”, tha Soreca. /ATSh























