Lama: Dobësimi i BE-së rrezikon paqen në rajonin e Ballkanit
"Dobësimi i BE-së rrezikon paqen në rajonin e Ballkanit", ka thënë ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama.
Ambasadorja Lama në Universitetin e Brescias: Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali mbajti një ligjëratë të hapur me studentët e Fakultetit Juridik, në Universitetin e Brescias me temë: E ardhmja e zonës ballkanike të nesërmen e skenarit të ri europian.” Në këtë ligjeratë, ajo foli për raportet e shtetit të Kosovës me Bashkimin Europian, si dhe të vendeve të Ballkanit perendimor në procesin e integrimit. “Bashkimi Europian në radhë të parë nisi si një projekt i paqes, dhe për këtë është shumë i rëndësishëm edhe në rajonin tonë sepse përmes modelit dhe kushtëzimit të tij për vendet e rajonit Ballkanik që synojnë të anëtarësohen, ka ndihmuar dhe po ndihmon paqen dhe fqinjësinë e mirë në rajon, po ndihmon në procesin e konsolidimit të demokracive dhe të sundimit të ligjit,” tha Lama. Ajo foli gjithashtu për zgjedhjet për Parlamentin Europian. “ Vendet e Ballkanit perendimor i kane ndjekur me shqetësim edhe zgjedhjet e Bashkimit Europian dhe padyshim i ndjekin edhe zgjedhjet nazionale dhe ngritja e populizmit në mbarë Europën, është shqetësuese. Kjo frymë që shoqërohet edhe me politika kunder zgjerimit, kundër emigracionit , këto forca politike duan dobësimine BE dhe për ne si rajon dobësimi i BE është një goditje shumë e madhe, pasi për ne procesi i integrimit është jetësor. Dobësimi i BE për ne do të thotë edhe dobësim i demokracive tona, dhe ekspozim përballë fuqive të tjera jo liberale që kanë interes në rajon si Kina dhe Rusia apo edhe ndonjë fuqi tjetër rajonale. Anëtarësimi në BE është një proces i transformimit demokratik dhe fqinjësia e mirë është një nga kriteret themelore të Kopenhagës. Një dobësim apo një skenar i së nesërmes ku ekzistenca e Unionit Europian vihet në pikëpyetje, është një mundësi edhe për kthimin e konflikteve në rajonin tonë. Dhe ky do të ishte skenari më i keq. Kosova natyrisht që është e interesuar për paqe me të gjithë fqinjët, por jo të gjithë fqinjët tanë janë të interesuar për paqe, ” tha Lama. Në lidhje me pyetjen e studentëve rreth deklaratave të Presidentit të Serbisë Vucic, së fundi kur është shprehur se duhet të zgidhim konfliktin me Kosovën, Ambasadorja Lama u përgjigj: “Presidenti i Serbisë është mirë që këtë diskurs të zgjidhjes së konfliktit ta shndërrojë në veprime praktike. Kjo do të thotë që të mos ndërhyjë në sovranitetin e shtetit të Kosovës në veri të territorit duke instrumentalizuar serbët dhe duke mos i lënë të integrohen në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Ai ka shumë pushtet dhe po të kishte vullnet nuk do të investonte në krijimin dhe mbajtjen e konfliktit të ngrirë në Mitrovicë, por do të respektonte ato kritere dhe vlera të Bashkimit Europian për të cilat flet shpesh. Fatkeqësisht Serbia e sheh BE-në vetëm si një mundësi për të përfituar në aspektin ekonomik, por jo edhe për të përqafuar vlerat e saj, në të kundërt nuk do të bashkëpunonte ngushtësisht me Rusinë. Pra Presidenti i Serbisë ndryshe flet, ndryshe vepron në terren, kështu që nuk mund t’i besojmë as retorikës së tij të kohëve të fundit. Studentët u interesuan edhe për mosnjohjen e Kosovës nga ana e Selisë së Shenjtë, si dhe për pyetje të tjera, në të cilat u përgjigj Ambasadorja Lama.























