BD: Hije të forta dyshimi mbi fushatën elektorale në Durrës
Në një reagim pas përgjimeve të fundit të publikuara nga tabloidi gjerman “Bild”, BD shpreh shqetësimin se mekanizmi korruptiv dhe kriminal për deformimin e votës, i përdorur në zgjedhjet e shkuara, është ende aktiv.
"Fakti që në vend të Dakos është caktuar një grua shumë e afërt me të, nuk e bën aspak më të qetë dhe më normale garën për Bashkinë e Durrësit. Ndërkohë, kandidatit i Partisë Socialiste për Shijakun, Elton Arbana, është një ndër personazhet kryesore që kanë dalë në përgjimin e publikuar nga prestigjiozja gjermane, duke hedhur hije të forta dyshimi mbi fushatën që do të zhvillohet në këtë qytet, transmeton oranews.
Bindja Demokratike paralajmëron qeverinë që të mbajë larg duart nga zgjedhjet e 30 Qershorit në qarkun e Durrësit dhe kudo tjetër në Shqipëri", thuhet në njoftimin për shtyp.
Ajo njëkohësisht fton partnerët ndërkombëtarë dhe vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it që të rrisin vigjilencën dhe ta trajtojnë këtë qark si një zonë me rrisk të lartë manipulimi, që fillon nga shitblerja e votës e përfundon me aktivizimin e segmenteve të kriminalizuara të shoqërisë për të deformuar vullnetin e zgjedhësve.























