Atletico Madrid ofron 40 milionë euro për yllin e Milanit
Atletico e Madridit ka vënë në shënjestër spanjollin e Milanit, Suso dhe është gati të paguajë klauzolën prej 40 milionë eurosh për prishjen e kontratës së tij, për të shmangur negociatat me drejtuesit e klubit kuqezi.
Kjo lëvizje e kryeqytetasve spanjollë natyrisht që u pëlqen edhe drejtuesve të Milanit, pasi Suso ka kosto zero në bilanc dhe me 40 milionë euro, do të realizohej një plusvalencë e rëndësishme në kuadër të Fair Play-t Financiar.
Kjo do të ndihmonte kuqezinjtë që të hiqnin njëherë e mirë nga merkato emra si Giggio Donnarumma dhe Alessio Romagnoli, të cilët kanë oferta të shumta në treg.
Për më tepër, në stolin kuqezi pritet të ulet Giampaoli, i cili është një fanatik i skemës 4-3-1-2 dhe me një rreshtim të tillë Suso vështirë se mund ta gjejë veten, pasi dihet që më të mirën e tij e jep si sulmues krahu.
Në ditët në vijim priten hapa konkretë në lidhje me këtë marrëveshje, por Atletico po kërkon të nxitojë, pasi me largimin e Griezmann, por edhe me Moratën e Diego Costën që po bëjnë gati valixhet, Simeone duhet të ndërtojë nga e para repartin e avancuar.























