Prishtina dhe Rahoveci aplikojnë në Champions League
BKT
Sport

Prishtina dhe Rahoveci aplikojnë në Champions League

Kampioni i Kosovës në basketboll, Prishtina dhe nënkampioni Rahoveci edhe zyrtarisht kanë aplikuar për të garuar në Basketball Champions League.  

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka marrë përgjigje nga zyrtarët e Basketball Champions League se bordi i kësaj lige do të vendosë për listën përfundimtare të ekipeve që do të paraqiten deri në fund të javës së ardhshme. 

Prishtina në edicionin e kaluar ishte eliminuar nga skuadra holandeze, DonarGroninen, kurse për Rahovecin nëse konfirmohet pjesëmarrja do të jetë hera e parë.

‘Vreshtarët’ edicionin e kaluar ishin nënkampionë të Kosovës dhe finalistë të Kupës.  

Ndërkaq, kampionia e Kosovës në basketboll në konkurrencën e vajzave Prishtina, ka aplikuar në FIBA Europe Cup Women.  

Kjo do të ishte hera e parë që një klub kosovar merr pjesë në gara ndërkombëtare, që pas sezonit 2003/2004 kur Universiteti i Prishtinës ka garuar në Ligën Rajonale Trocal. 

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është duke bërë çmos që të rritet interesimi në basketbollin e vajzave, me projekte të ndryshme të FIBA-s, si dhe me organizimin e FIBA U20 Kampionatit Evropian, Divizioni B – Vajzat që do të organizohet në Prishtine prej 3 deri më 11 gusht. 

Kjo është hera e parë që FBK-ja organizon një ngjarje të tillë në konkurrencën e vajzave dhe hera e parë që Kosova U-20 (vajzat) merr pjesë në gara të nivelit të tillë që nga pranimi i Kosovës në FIBA.