Basha: Akuzat ndaj meje janë montuar në zyrën e Edi Ramës
BKT
Shqipëri

Basha: Akuzat ndaj meje janë montuar në zyrën e Edi Ramës

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha është paraqitur sot vetë në Prokurorinë e Tiranës për t’u njohur zyrtarisht me akuza si i pandehur për dosjen e lobimit rus në SHBA në fushatën e zgjedhjeve të 2017.

Pas daljes nga prokuroria, Basha tha për gazetarët se “u njoha me akuzën që nuk është akuzë, pasi nuk ka asnjë fakt dhe asnjë provë, nuk ka asnjë rus të vetëm”.

Sipas tij, është një akuzë për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet duke shtuar se “u kërkova të më vinin në dispozicion dosjen, por nuk e kishin gati”.

“Tani prokuroria nuk ka asnjë fakt, asnjë provë ndryshe apo shtesë që prej 25 marsit kur isha këtu. Kjo për arsye se kjo akuzë është montuar në zyrën e Edi Ramës”, deklaroi ai për gazetarët.

“Kam pesë herë që vij këtu. Atë ditë (të hënën) nuk u paraqita se nuk kishin zbatuar ligjin ndërsa sot u paraqita se kishin një plan për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet. Por a ka frikë Lulzim Basha? Këtu ku jemi ka plot njerëz të frikësuar, por unë nuk jam njeri prej tyre” tha ai.

Lulzim Basha së bashku me ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani që u paraqit dje në prokurori, por edhe Ilir Dervishin sipas prokurorisë akuzohen për falsifikim dhe fshehje të financimeve. Vendimi i prokurorisë së kryeqytetit vjen pas letër-porosive nga SHBA. Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017./Atsh/


MË SHUME NGA Shqipëri