Pjetër Ndrecaj rigjykohet, anulohet dënimi me burgim të përjetshëm
Kaltrina Rexhepi
Gjykata Supreme ka kthyer në rigjykim nga shkalla e parë çështjen e Pjetër Ndrecajt, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit.
Gjykata Supreme, pasi ka shqyrtuar të gjitha shkresat e kësaj çështjeje juridiko-penale, bazuar në faqen e tretë të procesverbalit të shqyrtimit fillestar, ka gjetur se pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit është në kundërshtim të plotë me dispozitivin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, pasi që akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, e cila kryhet në rastet kur me dashje kryhen dy apo më shumë vrasje, kurse deklarimi i tij është vetëm përkitazi me vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, ashtu që i akuzuari pas leximit të aktakuzës dhe pas konsultimit me mbrojtësin e tij, kishte deklaruar se: “E pranoj fajësinë për vrasjen e ish gruas time, mirëpo vajzën e kam vra aksidentalisht”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.
Por, në lidhje me këtë vendim, të zhgënjyer janë shprehur familjarët e Valbona Marku Ndrecajt, të cilët thonë se ky vendim është i pa pranueshëm për ta.
“ Kosova s’ka ligje dhe nuk mundet me pas kurrë drejtësi, sepse shtëpia nuk është djeg pa qëllim. Letra se besoj se do të arrijë me dalë kurrë si duhet, do të mbetet vetëm hije. Besimin në Zotin nuk e kemi humb kurrë e s’do ta humbim!”, ka thënë për RTK-në Shkelzen Marku, vëllau i Valbona Marku Ndrecajt.
Për djegien e shtëpisë RTK kishte raportuar në muajin maj të këtij viti, ku sipas Policisë vënia e zjarrit në shtëpinë e familjes Marku, ishte e qëllimshme.
Ndërsa Për Fejzullah Hasnain, ish kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, ky dënim ka qenë i pritshëm, edhe pse sipas tij, edhe pas rigjykimeve, shkalla e dënimit mund të mos ulet.
“ Dënimi mund të shqiptohet prapë ai që është, vetëm nuk mund të përfundojë çështja në shqyrtimin e parë fillestarë, sepse akuzohet që i ka vrarë me dashje dy viktimat, edhe pse ai ka thënë që vajzën e ka vrarë aksidentalisht. Në rrethana të tilla ai nuk e ka pranuar fajësinë për vrasje të vajzës por vetëm të bashkëshortes”.
Hasani thotë se këto shkelje nuk është dashur t’i lëshojë Gjykata e Apelit, por është dashur t’i hetojë.
“Gjykata e Apelit pavarësisht se çfarë kanë pretenduar palët në ankesë, ka qenë ligjërisht e detyruar që këto shkelje t’i hetojë sipas detyrës zyrtare dhe kjo shkelje nuk ka është dashtë të kalohet nga Gjykata e Apelit”, tha Hasani.
Emisioni “UDHËVE” në RTK, ka raportuar gjithashtu edhe për letrën e cila pretendohet që është shkruar nga e ndjera Valbona Marku Ndrecaj, për të cilën Prokuroria në Gjakovë ka filluar hetime.























