Serbia reagon pas pranimit të kërkesës së Kosovës për aplikim në INTERPOL

Serbia reagon pas pranimit të kërkesës së Kosovës për aplikim në INTERPOL

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka reaguar menjëherë pas pranimit të kërkesës së Kosovës për aplikim për anëtarësim në INTERPOL.

Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it, gjatë ditës së sotme ka aprovuar kërkesën e Kosovës për aplikim në këtë organizatë.

Menjëherë pas publikimit të këtij lajmi, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq.

Ai ka thënë se e gjithë kjo është e pasaktë dhe se kjo nuk mund të quhet si kërkesë e pranueshme pasi që siç pretendon Stefanoviq, autoritetet kosovare janë duke bërë presion mbi anëtarët e Komitetit Ekzekutiv në kohën kur ende është duke u mbajtur seanca, transmeton lajmi.net.

Në një prononcim për “Tanjug”, Stefanoviq, ka thënë se vetëm anëtarët e Komitetit Ekzekutiv e kanë njohur një kërkesë të tillë, por që vendimi përfundimtar do të merret në rendin e ditës për Asamblenë e Përgjithshme.

Sipas tij, agjenda përfundimtare si dhe vendimi i aplikacionit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme, do të njihet vetëm dy ditë para seancës së përgjithshme, veçanërisht në tetor.

Mirëpo, ai ka thënë se Serbia do të vazhdojë luftën kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, transmeton më tutje lajmi.net.

“Pavarësisht nga presione të tilla të papranueshme për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, ne do të vazhdojmë të luftojmë shumë për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Ne do të mbrojmë sovranitetin e Serbisë, por edhe integritetin e INTERPOL-it. Ne po vazhdojmë një betejë ligjore, të cilën kurrë nuk e kemi ndërprerë. Do të mësojmë edhe një herë se pse organizimi politik i kësaj organizate është i keq për punën e saj të ardhshme, por edhe për sigurinë e përgjithshme në botë”, ka deklaruar Stefanoviq.

Ai ka thënë se anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv dhe anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, do t’ua bëjnë me dije se në bazë të Rezolutës 1244 të OKB-së, Kosova është në territorin e Serbisë dhe në këtë mënyrë nuk mund të bëhet anëtare e INTERPOL-it.