Çështja e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, në Ministerialin e Tetorit
Në Seancën e djeshme Plenare (me dyer të mbyllura) të Parlamentit finlandez, Kryeministri Antti Rinne (SDP) paraqiti Programin e Qeverisë për 6 muajt e ardhshëm (Korrik-Dhjetor), gjatë Presidencës Finlandeze në Bashkimin Evropian.
Duke iu referuar punimeve të Seancës së djeshme, gazeta kryesore finlandeze “Helsingin Sanomat” shkruan sot se “ministrja për Evropën, socialdemokratja Tytti Tuppurainen, deklaroi me ngazëllim … se, pavarësisht largimit të britanikëve, BE-ja vazhdon të jetë si gjithnjë tërheqëse dhe se në Ministerialin e Tetorit do arrijmë ta çojmë më tej çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”.
Të njëjtën gjë përsëriti edhe vetë Kryeministri Rinne në një Takim të mëvonshëm me disa përfaqësues të medieve kryesore finlandeze. /ATSh























