OSBE: Dënojmë dhunën, palët të tregojnë vetëpërmbajtje
Përfaqësuesit më të lartë të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian kanë bërë një deklaratë mbi krizën politike në Shqipëri, vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit.
Kryetari i Radhës i OSBE-së dhe ministri i Jashtëm dhe për Çështjet Evropiane i Sllovakisë, Miroslav Lajčák, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montella, shprehin keqardhjen për tensionin e vijueshëm politik në Shqipëri.
“Çdo përpjekje për të nxjerrë nga shinat procesin demokratik, përmes veprimeve të dhunshme, pengon përparimin e Shqipërisë dhe njollos reputacionin ndërkombëtar të vendit. Çdo shkelje ligjore e lidhur me zgjedhjet, përfshirë blerjen e votës, abuzimin me burimet publike dhe ushtrimin e presionit ndaj nëpunësit e sektorit publik sa u përket zgjedhjeve, duhet të ketë pasojat e duhura ligjore”, thuhet në deklaratën e OSBE.























