Policia publikon masat për zgjedhjet e 30 qershorit
Dy ditë para zgjedhjeve lokale policia ka publikuar për herë të parë masat që do të ndërmarrë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të së dielës.
Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit Albert Dervishaj, është shprehur se në terren të dielën do të jenë rreth 7779 efektivë policie, që sipas tij janë trajnuar dhe do të angazhohen me detyra gjatë mbarëvajtjes së zgjedhjeve.
Ndërsa për sigurimin e qendrave të votimit, Dervishaj u shpreh se do të jenë të gatshëm 5876 punonjës dhe 281 automjete civile, ndërsa numri total i qendrave të votimit në Shqipëri është 5417.
Për më tepër lexoni njoftimin:
Deklaratë e Albert Dervishaj – Drejtor i Rendit Publik, në Policinë e Shtetit
Në kuadër të masave të deritanishme të marra nga Policia e Shtetit për garantimin dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor në të gjitha fazat e tij, Policia e Shtetit për të garantuar një proces votimi sa më të qetë për votuesit ka marrë një sërë masash shtesë, masa këto që do reflektohen më tepër duke filluar prej ditës së shtunë e deri në përfundim të procesit zgjedhor.
Jemi në fazën më të rëndësishme të periudhës zgjedhore, prandaj nga strukturat qendrore dhe vendore të Policisë, po ndiqen me kujdes masat e planifikuara sipas fazave për sigurimin e rendit publik.
Policia e Shtetit, me një Plan Masash të detajuar garantoi me sukses mbarëvajtjen e çdo aktiviteti elektoral të zhvilluar gjatë fushatës, si dhe do të garantojë ruajtjen e qendrave të votimit, shoqërimin e materialeve zgjedhore dhe sigurimin e vendeve të numërimit të votave, gjatë këtij procesi.
Puna e strukturave të Policisë së Shtetit, për përgatitjen e masave për sigurimin e zgjedhjeve ka filluar që në muajin Shkurt 2019, me hartimin e detyrave në Programin e Punës, janë përgatitur Urdhra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; plane masash dhe dokumente të tjera që kompletojnë masat tona dhe detyrat për procesin zgjedhor.
Janë trajnuar 7.779 punonjës të Policisë që do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve, sipas niveleve të menaxhimit policor, deri tek niveli bazë i veprimit policor.
Për sigurimin e 5.417 Qendrave të Votimit, 90 KZAZ dhe 90 VNV, janë bërë përllogaritjet të punonjësve të Policisë, për automjete, pajisje, komunikim, ushqim etj.
Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, në datën 15 Qershor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ, në afatin e përcaktuar:
– Listën me 5.876 punonjës të policisë që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë.
– Listën me 281 automjete civile, që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë.
Nga strukturat e disa njësive policore në Tiranë, Drejtorive të Kufirit dhe Migracionit dhe struktura të tjera, do të dërgohen 1.450 punonjës policie në funksion të procesit zgjedhor në disa Drejtori Vendore të Policisë; si dhe do të vihen në dispozicion 543 automjete.
Është përgatitur dhe miratuar Urdhri i Përbashkët i Ministrit Brendshëm dhe Ministrit të Mbrojtjes, si dhe Urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për marrjen në ruajtje të 84 objekteve të rëndësishme që sigurohen me punonjës policie, nga forcat “Komando”.
280 punonjës të Policisë të objekteve, do të angazhohen për sigurimin e objekteve zgjedhore dhe do të marrin detyra për procesin zgjedhor.
Nga strukturat policore në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve gjyqësore janë trajtuar dhe po hetohen veprat penale që lidhen me procesin zgjedhor, kryesisht sulme mbi KZAZ dhe punonjësit e policisë të planizuar pranë këtyre KZAZ-ve, djegie të materialeve zgjedhore, vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.
Në këto ngjarje janë përfshirë 250 autorë, nga të cilët 59 janë arrestuar 138 ndiqen në gjendje të lirë dhe 53 persona janë shpallur në kërkim.























