Kryeministri para mediave në orën 21: 00
Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pritet që në orën 21 të dalë para gazetarëve në një konferencë për media.
Rama pas votimit në fshatin Surrel ka qëndruar tërë ditën në selinë e PS-së ndërsa pas mbylljes së vendvotimeve ka dal nga selia për t’u kthyer në orën 21:00 raporton ekipi i KosovaPress nga Tirana.
Në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha vendvotimet që ishin hapur në orën 7 të mëngjesit.
E veçanta e këtyre zgjedhjeve është se u zhvilluan pa opozitën e madhe, e cila procesin e sotëm e kundërshtoi edhe me protesta.
Zgjedhjet lokale u monitoruan nga 150 vëzhgues të OSBE, gjithashtu nga misionet e ambasadave të huaja në Shqipëri.
Policia e Shtetit ka angazhuar 7779 efektivë, prej të cilëve 5876 punonjës po angazhohen për ruajtjen e objekteve dhe 1450 të tjerë janë në gatishmëri të procesit zgjedhor. Gjatë ditës në Tiranë dhe qytete të tjera janë mbajtur protesta nga opozita, duke thënë se këto zgjedhje janë vetëm votime, dhe se të njëjtat po bëhen sikur në kohën e diktaturës. Ndërsa kryeministri Edi Rama pasi hodhi votën e tij tha se dita e sotme konfirmon që me popullin nuk luhet dhe se kush tenton të ia marrë sovranitetin popullit, fundin e ka me dështim.























