Holanda: Shqetësimet tona mbeten krimi i organizuar dhe azilkërkuesit
Komisionin Europian refuzoi kërkesën e qeverisë holandeze për të rivendosur regjimin e vizave me Shqipërinë.
Një zëdhënës i Komisionit, tha se Shqipëria vijon të plotësojë kushtet për përfitimin e liberalizimit të vizave, raporton oranews.
Ndërkohë Holanda përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të ambasadës hollandeze në Tiranë thotë se krimi organizuar dhe azilkërkuesit mbeten shqetësim për të edhe i kërkon që Shqipëria t'i adresojë në mënyrë efikase.
"Në datën 1 korrik, Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës ka marrë një përgjigje nga Komisioni Europian në lidhje me letër-kërkesën e dërguar në datën 31 Maj 2019. Në këtë letër, Komisioni ka dalë në përfundimin se kushtet teknike për të aktivizuar mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Por gjithsesi, në letër theksohet se Komisioni beson se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar.
Sinjali që vjen nga letër-kërkesa vijon të jetë i rëndësishëm. Hollanda do të punojë me Shqiperinë për të parë se si shqetësimet tona në lidhje me krimin e organizuar, aplikimet e pabazuara për azil dhe klandestinët që përpiqen të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet porteve të Hollandës mund të adresohen në mënyrë më efikase."/oranews























