KE për ATSH: Nuk pezullohen vizat për Shqipërinë
BKT
Shqipëri

KE për ATSH: Nuk pezullohen vizat për Shqipërinë

Pas kërkesës së marrë nga Holanda, Komisioni Evropian sqaron se në situatën aktuale rrethanat për të vënë në lëvizje mekanizmin e pezullimit të vizave me Shqipërinë nuk plotësohen.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Tove Ernst konfirmoi sot për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni arriti në përfundimin se në situatën aktuale rrethanat për të vënë në lëvizje mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen”.

Ernst deklaron për ATSH se, “Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza”.

Më 31 maj Holanda dorëzoi zyrtarisht në Komisionin Evropian kërkesën e saj për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen, kërkesë e cila u rrëzua sot nga KE.


MË SHUME NGA Shqipëri