Rreth 280 shkolla i plotësojnë kushtet për mësim gjithë ditor
Pritet që në vitin e ri shkollor 2019/2020, të fillojë pilotimi i mësimit gjithëditor në disa shkolla të vendit. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit thonë se janë bërë analizat se cilat shkolla i plotësojnë kushtet. Sindikata e Arsimit, e kundërshton mësimin gjithëditor.
Ministria e Arsimit ka bërë një analizë se cilat shkolla mund të plotësojnë kriteret për të filluar mësimin gjithë ditor. Drejtori i Departamentit për Arsim Parauniversitar në këtë Ministri, Alush Istogu, ka thënë për Radio Kosovën se në bazë të kësaj analize, në nivel të Kosovës janë rreth 280 shkolla që i plotësojnë kushtet për mësim gjithë ditor.
Por, Sindikata e Arsimit e kundërshton mësimin gjithëditor. Ymer Ymeri, nga kjo Sindikatë, i tha Radio Kosovës se para se të merren hapa të tillë nga Ministria, duhet të shikohen modelet nga vendet e tjera, pasi siç tha ai, nuk mund të realizohet ky mësim me të njëjtit mësimdhënës.
Sipas Ministrisë së Arsimit, pritet që në shtator të këtij viti të fillojë pilotimi në disa shkolla, ndërsa mbetet që të vendoset se në cilat komuna dhe në cilat shkolla do të fillojë ky pilotim.























