Meta: Kosova është shtet sovran, duhet të trajtohet me respekt
RTKlive
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka ftuar sot Bosnje dhe Hercegovinën ta pranojë realitetin, se Kosova është një vend i pavarur dhe sovran.
Meta po merr pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit për Evropë Juglindore i cili po mbahet sot në Jahorinë. Në këtë samit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama refuzoi të merrte pjesë për shkak se Kosova nuk u thirr si shtet, por me fusnotë.
“Si të pretendojmë se kemi një bashkëpunim rajonal të suksesshëm, kur disa nga pjesëmarrësit po punojnë për të përjashtuar disa vende nga mundësia e përfitimeve”, ka deklaruar Meta.
Ai ka theksuar se është koha e duhur që Kosova të njihet si shtet i pavarur dhe sovran, pasi sipas tij respekti për fqinjët është i domosdoshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Meta tha se iniciativat rajonale po e forcojnë dialogun e brendshëm të rajonit dhe në këtë mënyrë po kontribuojnë në gjendjen e përgjithshme të sigurisë. Ai vuri në dukje se një sukses i madh është arritur deri më tani, dhe si shembull mori marrëveshjen e Athinës dhe Shkupit. “Zgjidhja e sfidave bilaterale është shumë e rëndësishme në rrugën drejt BE-së, por nevojiten reforma në vendet e rajonit. Shqipëria është e vetëdijshme se ka shumë punë në përmbushjen e kriteve dhe standardeve, në veçanti duhet të forcojë sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Meta shprehu besimin se Këshilli i BE-së në tetor do te hap negociatat me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë. Theksojmë se përkundër raportimit se Qeveria e Shqipërisë nuk do të marrë pjesë në këtë samit, presidenti Meta ka vendosur që personalisht të jetë pjesë e tij.
Gjatë Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore, që po mbahet në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës, Meta theksoi se marrja e Kryesisë së SEECP nga Kosova është një lajm i mirë për bashkëpunimin e vërtetë rajonal.
"Tani është koha e duhur, që jo vetëm Bosnja dhe Hercegovina, që duhet të kishte bërë të gjitha përpjekjet për të garantuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit, por edhe çdo vend tjetër të bëjë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të këtij realiteti. Republika e Kosovës, është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj", tha ai.























