Fillon edicioni i 19-të i Universitetit Veror të Prishtinës
Ardiana Hajzeri
Kanë filluar të mbahen kurset në kuadër të Universitetit Veror të Prishtinës që sivjet po mbahet për herë të 19. Organizatoret e këtij edicioni thonë se interesimi i studentëve për të marrë pjesë në në ketë edicion është mjaft i madh. Edhe pjesmarrësit vlerësojnë si shumë të dobishme pjesëmarrjen për arsye se marrin njohuri të reja dhe krijojnë kontakte me studentë nga e gjithë bota.
Edicioni 19 i Universitetit Veror të Prishtinës i cili po mbahet në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” po ofron kurse në fusha të ndryshme për studentët pjesëmarrës nga shumë vende të botës.
Drejtoresha e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë në UP, në kuadër të cilës organizohet ky kurs veror, Lumnije Bajrami, tha për Radio Kosovën, se në ketë edicion interesimi i studenteve është i madh po ashtu po marrin pjesë edhe profesor nga vende të ndryshme të botës.
“ Në ketë edicion kemi pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, numri me i madh është nga Kosova dhe rajoni, Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brazili, kemi një numer nga Afrika ka studentë nga vende të ndrysmë. Ndërsa sa i përket profesorëve ka profesor nga Japonia, India kemi edhe nga Pakistani” ka thënë Bajrami.
E Aldona Jaku, studente e Inxhinierisë Ekonomike Mekanike në Universitetin e Tiranës, i tha Radio Kosovës, se pjesëmarrja në ketë edicion është shumë me rëndësi për arsye se mësimi po realizohet me një metodologji shumë bashkëkohore.
“ Pjesëmarrja në ketë edicion është shumë e rëndësishme sepse kemi të bëjmë me metoda të mrekullueshme të standardeve shumë të larta, pasi ne marrim mësim nga profesor nga Evropa, Rajoni dhe e gjitha bota. Metodologjia e re po ndihmon studentet që të jenë interaktiv në mes të gjithë studenteve për të shkëmbyer njohuritë, ka diskutime dhe e gjitha është në gjuhën angleze” tha Aldona Jaku.
Në këtë edicion të Universitetit Veror të Prishtinës studentet po marrin pjesë në 17 fusha të ndryshme studimi, ku i terë mësimi është duke u realizuar në gjuhën angleze. Numri i studentëve që po marrin pjesë është rreth 400. Në përfundim të këtij edicioni studentët pajisen me certifikata për kurset e përfunduara.























