Aliu: Kuvendi nuk mbikëqyri zbatimin e asnjë ligji
BKT
Lajme

Aliu: Kuvendi nuk mbikëqyri zbatimin e asnjë ligji

RTKlive

Kuvendi i Kosovës dhe trupat e tij edhe pse si përgjegjësi kryesore kanë mbikëqyrjen e zbatimin të ligjeve, këtë funksion e përmbushin në shkallë minimale dhe pa një metodologji efikase.

Blerta Aliu nga KDI-ja, tha se nga janari deri në korrik të këtij viti Kuvendi nuk ka arritur të mbikëqyr zbatimin e asnjë ligji, kurse gjatë vitit që shkoi komisionet parlamentare kanë realizuar vetëm një mbikëqyrje, duke përmbushur vetëm 4% të planifikimeve vjetore në këtë drejtim.

“Kuvendi gjatë këtij viti nuk ka arritur të monitorojë zbatimin e ligjit. Lidhur me këtë performancë të ulët, Kuvendi është kritikuar në çdo raport të Komisionit Evropian, tash e 10 vite”, tha ajo sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Aliu tha se zbrazëtirat ligjore në Rregulloren e Punës së Kuvendit, mungesa e metodologjisë së mbikëqyrjes së punës së komisioneve, mungesa e kapaciteteve dhe mos-shfrytëzimi i resurseve financiare të komisioneve, mos-miratimi i raporteve të komisioneve për mbikëqyrje të zbatimit të ligjit në seanca plenare si pasojë e mungesës së kuorumit janë shkaktarët kryesorë që po ndikojnë në mbikëqyrje të ulët të zbatimit të ligjeve.

Në mënyrë që të evitohen problemet e lartcekura, KDI-ja rekomandon ndër të tjera që Komisionet parlamentare, në planet e tyre të punës të shpërndajnë në mënyrë proporcionale funksionet dhe përgjegjësitë që lidhen me ligjbërjen dhe mbikëqyrjen dhe t’i rishikojnë praktikat e përcaktimit dhe përzgjedhjes së ligjeve për mbikqyrje. Po ashtu rekomandohet që Kuvendi i Kosovës të adoptojë një metodologji të qëndrueshme dhe praktike me të cilën do të shërbeheshin komisionet parlamentare gjatë ushtrimit të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve.

Gjithashtu Kuvendi në mënyrë  të vazhdueshme duhet të kërkojë llogari dhe informata nga Qeveria lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të dala nga raportet e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve. Kuvendi i Kosovës duhet të marrë në konsideratë edhe sigurimin e ekspertizës së nevojshme që të realizohet mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve në formë adekuate. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet t’i përmbushin obligimet dhe të kontribuojnë në mënyrë kualitative në grupet punuese për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit, duke mos e neglizhuar dhe zvarritur procesin.


MË SHUME NGA Lajme