Ambasadori turk: Kosova të ketë kujdes nga “Hizmet” dhe Gulen
Ambasadori turk në Kosovë, Çagri Sakar, tha se Kosova nuk duhet të lejojë që lëvizja “Hizmet”, e cila “nuk është më pak e rrezikshme se (grupi militant) Shteti Islamik, t’i shndërrojë fëmijët kosovarë në armiq të këtij vendi”.
Ai i bëri këto komente të dielën mbrëma në Prishtinë, përpara shfaqjes së dokumentarit “The Network: Fytyra e Errët e Gylenistëve”, i shërbimit publik turk, TRT World. Shfaqja u organizua nga Shoqata e Turqve të Kosovës në Prishtinë.
Në përvjetorin e tretë të përpjekjes për puç në Turqi, autoritetet turke e paralajmëruan Kosovën për, siç thanë, rrezikun e lëvizjes së klerikut fetar turk, Fethullah Gulen.
Ankaraja e fajëson lëvizjen e tij “Hizmet” për grushtshtetin e dështuar, më 15 korrik të vitit 2016.
Ajo u kërkoi autoriteteve në Kosovë që të mos lejojnë që kjo strukturë, e cila, siç u tha, fshihet prapa maskave të pafajshme, “t’i përsërisë në Kosovë të këqijat që i ka bërë në Turqi”.























