Veseli kthehet sot nga SHBA, PDK pret kryetarin për veprimet e mëtutjeshme
Zhvillimet e fundit në skenën politike kosovare kanë vënë në lëvizje të gjitha partitë të cilat pritet të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Partia Demokratike e Kosovës po pret kryetarin e saj, Kadri Veselin, i cili pritet të kthehet sot pasdite në Prishtinë pas vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zëvendëskryetari i kësaj partie, Enver Hoxhaj, deklaroi se dorëheqja e kryeministrit është një zhvillim serioz për vendin dhe se pas kthimit të Veselit, PDK do t’i diskutojë hapat e ardhshëm që sipas tij do të jenë në pajtim me interesat madhore dhe të ardhmen e Kosovës.
E kryetari i Kuvendit, reagoi përmes rrjetit social Facebook duke thënë se të gjitha veprimet dhe vendimet do të jenë vetëm në shërbim të interesave më të mira të Kosovës dhe qytetarëve si dhe në përputhje të plotë me ligjin.
Sa i përket legjislacionit, profesori universitar Mazllum Baraliu tha se kur jep dorëheqje kryeministri nënkupton rënie të Qeverisë dhe në këtë rast presidenti i vendit duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme në afat prej 45 ditësh.























