VIDEO-Haradinaj mori vendime të shumta, disa u përkrahën e disa u kritikuan
Leonora Bërbatovci-RTK
DEMARKACIONI Vendimi i parë në mbledhjen e Qeverisë.
Në mbledhjen e parë të qeverisë, si kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, u mor me demarkacionin, temën kryesore sa ishte në opozitë. Ai shkarkoi komisionin shtetëror për demarkacionin për të emëruar një tjetër komision në krye me Shpejtim Bulliqin. Pas shumë përpjekjesh ku u arrit edhe marrëveshje mes presidentëve të Kosovë dhe Malit të Zi për mundësi të rishyqrimit të ndonjë gabimi, demarkacioni u votua në Kuvend.
SHIPITULLA
Pak ditë pas nisjes së punës si kryeministër, Haradinaj u mor me krizën energjetike në vend si pasojë e problemeve me pronat në fshatin Shipitullë. Pas disa takimeve me banorë të fshatit dhe menaxhmentin e KEK-ut, u arrit pajtueshmëria mes Qeverisë, banorëve dhe Korporatës, për zhvendosje dhe mundësimin e nxjerrjes së thëngjillit.
VENDIMET EKONOMIKE
Qeveria Haradinaj mori edhe vendime të karakterit ekonomik që shkaktuan debat. Pagesa e 53 milionëve për kompaninë Bechtel&Enka, falja e 60 milionë euro borxhe për komapnitë e ujit, ndarja e 219 mijë eurove për familjarët e të dënuarve dhe vrarëve në rastin e Kumanovës dhe vendimi për rritjen e pagave për vete dhe kabinetin e tij, ishin vetëm disa nga temat për të cilat pati reagim nga shoqëria civile dhe opozita.
INTERPOLI DHE TAKSA
Në rrafshin e brendshëm dhe të jashtëm politik, nën udhëheqjen e Haradinajt, Qeveria në fund të vitit 2018 dështoi të sigurojë votat për anëtarësim të Kosovës në Interpol. Pak kohë pas këtij dështimi, ku përgjegjëse ishte Serbia me fushatën agresive kundër anëtarësimit, qeveria Haradinaj vendosi taksë ndaj mallërave të Serbisë dhe Bosnjës. Fillimisht ajo ishte 10 për qind për t'u rritur brenda një kohe të shkurtër në 100 për qind.
USHTRIA
Viti 2018 u përmbyll me një vendim të madh për vendin. Qeveria Haradinaj vendosi miratimin e 3 projektligjeve që shëndrronin FSK-në në Ushtri, proces ky që u finalizua me votim në Kuvend.
DIALOGU
Dialogu Kosovë-Serbi u ndërpre pas tërheqjes së Serbisë nga ky proces, e cila vazhdimin e tij e ndërlidhi me heqjen e taksës. Pavarësisht thirrjeve të shumta për pezullimin e saj, Haradinaj nuk e tërhoqi këtë vebdim. Ai kërkoi që tregu të hapet me kundërvlerë njohjen nga Serbia në kufinjtë aktualë. Shpesh pati përplasje edhe me presidentin Thaçi rreth ideve të këtij të fundit për korigjim të kufijve. Andaj, Qeveria krijoi një delegacion shtetëror për dialog me përfaqësim të partive në koaliicionin qeverisës dhe PSD-në si parti opozitare. Por më vonë, Gjykata Kushtetuese e cilësoi anti kushtetues krijimin e këtij ekipi negociator.
Përgjatë qeverisjes prej afër 2 vite, Haradinaj u vu në qendër të kritikave rreth punësimeve politike dhe partiake. Punësimet e fundit në PTK në pjesën më të madhe iu atribuan ndikimit të tij. Haradinaj u kritikua edhe për fryerjen e listave të vetertanëve në zonën e Dukagjinit. Cilësimi nga ana e tij si hajn të prokurorit Elez Blakaj që po hetonte këto lista, mori kritika për ndërhyrje në këtë proces.
Megjithatë në aspektin legjislativ, Qeveria Haradinaj shtyu përpara disa ligje të cilat u cilësuan të rëndësishme dhe për të cilat me vite po pritej procedimi i tyre. Ligji për kryeqytetin dhe pako e ligjeve për reformën e administratës publike ku përfshihej ligji për pagat kaloi gjatë kohës së qeverisjes së tij.
E një nga premtimet e parealizuara, pavarësisht pritjeve të mëdha, ishte liberalizimi i vizave.























