Sot Slovan - Feronikeli, ekskluzivisht në RTK 1
BKT
Sport

Sot Slovan - Feronikeli, ekskluzivisht në RTK 1

Feronikeli sot luan ndeshjen e parë të vlefshme për raundit e dytë në Ligën e Evropës ku do të përballet në Sllovaki me Slovan Bratislavën, ndeshje e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK 1, në orën 18:00.

Kësaj ndeshje do t'i paraprijë emisioni me analistë, i cili fillon në orën 17:15.

Kampionët e Kosovës kanë udhëtuar të hënën drejt Bratislavës, derisa të martën e kanë zhvilluar stërvitjen e fundit.

Të përzgjedhurit e Zekerija Ramadanit nuk kanë udhëtuar vetëm sa për turizëm në Sllovaki dhe do të bëjnë të pamundurën që të nxjerrin një rezultat të favorshëm para ndeshjes kthyese në Prishtinë, megjithëse skuadra sllovake është mjaft cilësore.

Feronikelin në Bratislavë, përveçse e pret një përballje shumë e fortë, e pret edhe një klimë aspak miqësore nga tifozeria vendëse. Kështu të paktën kanë paralajmëruar tifozët e Slovan Bratislavës të cilët njihen si pro serbë dhe kanë bërë të ditur se do të bëjnë gjithçka që Feronikeli të ndihet sikur po luan në Serbi.

Megjithatë atmosfera në stadiumin “”New Slovakia” mund të jetë motivuese për të zgjedhurit e Zekerija Ramadanit për të cilët nëse e kalojnë këtë raund do të ishte diçka e jashtëzakonshme. Ndeshja e kthimit luhet më 30 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ndërkohë futbollistët serbë Aleksander Cavric dhe Dejan Drazic, si dhe trajnerit Vladimir Radenkovic, pas kërkesës nga autoritetet e shtetit në Serbi kanë vendosur që të mos luajnë në ndeshjen e sotme.

Të tre këta persona ka në pranuar kërkesën dhe kanë njoftuar drejtuesit e klubit sllovak, se nuk do të jenë të gatshëm për ndeshjen me Feronikelin, ndërsa lajmi është konfirmuar nga vetë Slovan Bratislava, që ka pranuar verdiktin e serbëve.

Skuadra sllovake në kualifikimet e Ligës së Kampionëve u mposht nga Sutjeska pas penalltive, pasi në dy ndeshje rezultati ishte i barabartë 1-1.