Kuka kritikon sportistët: Në gara nuk shkohet për shëtitje e foto!
BKT
Sport

Kuka kritikon sportistët: Në gara nuk shkohet për shëtitje e foto!

Driton Kuka i ka kritikuar sportistët e rinj, për të cilët thotë se po bëjnë dalje të shpeshtuara, po shëtisin dhe po fotografohen nëpër gara. Trajneri i suksesshëm i xhudos mendon se këto janë arsyet e rezultateve të zbehta të tyre në gara ndërkombëtare.

Sportistët e rinj nuk po tregohen të suksesshëm në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj, “Baku 2019”.

Dhe, kjo mungesë e rezultateve pozitive po e shqetëson trajnerin e xhudos, Driton Kuka.

Trajneri i suksesshëm i ka kritikuar sportistët e rinj për qasjen e tyre, përfshirë këtu edhe garuesit e tij.

Sipas trajnerit pejan, sportistët e rinj janë fokusuar shumë tek daljet e shpeshtuara, tek shëtitjet dhe daljet në fotografi, të cilat mendon se po iu kushtojnë me rezultate të zbehta.  

Më poshtë mund ta lexoni statusin e trajnerit të xhudos, i cili ka të bëjë me këtë fenomen:

“Në Baku po mbahen EYOF ose Lojërat Evropiane për të rinj… Gara këto të sportistëve të rinj 14-18 vjeç. Deri sot performancë e dobët e krejt sportistëve në të gjitha sportet përfshi edhe Erzen që llogaritej favorite për medalje …

Kjo është alarmante se garuesit e rinj spo ndërtohen si duhet në Kosovë.

Për tjerat sporte se di por për Erzen e edhe disa garues të ekipit tim saktësisht e di shkakun dhe arsyen e paraqitjes shumë të dobët!

Sporti Kulminant don jetë sportive 100 për qind përfshi këtu edhe daljet e shpeshtuara duke zvogëluar kështu fokusin për gara serioze!

Përgjegjësi do kërkoj nga secili veç e veç,në ekipin tim!

Prezentimi i shtetit don përgjegjësi e jo të shkohet në gara për shetitje e fotografi!

Deri në fund të EYOF ka ende garues,të shpresojmë …

Çdo federatë e trener merrini përgjegjësitë e mos i bani qef vetes se kryhet gara e çdo send harrohet, këtu po i përfshij edhe njerëz në stafin e trenerëve në ekipin tim e patjetër edhe unë dua të marr përgjegjësitë e mia”, ka shkruar Kuka.