FFK dënon thirrjet dhe sloganet primitive të tifozëve në Bratislavë
BKT
Sport

FFK dënon thirrjet dhe sloganet primitive të tifozëve në Bratislavë

Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar pas thirrjeve dhe sloganeve të paraqitur sot (e mërkurë) në ndeshjen e Ligës së Evropës në Bratislavë, në ndeshjen mes Slovan dhe Feronikelit.

Reagimi i plotë i FFK-së

Federata e Futbollit e Kosovës i dënon ashpër thirrjet dhe sloganet e paraqitura sot në ndeshjen e Europa Leagues në Bratislavë nga tifozët në ndeshjen Slovan – Feronikeli.

Parullat dhe thirrjet e tilla, FFK-ja,  i vlerëson si primitivizëm, të pakuptimta dhe natyrisht aspak reale. Ëndrrat e Serbisë dhe të përkrahësve të tyre si dhe mashtrimet ndaj popullatës së tyre janë shumë të dëmshme edhe për vet ato klube dhe federatat e tyre, të cilat lejojnë këso anomali nëpër stadiumet e tyre.

Me këtë rast, ftojmë UEFA-në dhe FIFA-n që të marrin masa sa më rigoroze (konform rregulloreve të tyre) ndaj këtyre thirrjeve dhe sloganeve, në mënyrë që kjo të ndikojë edhe në klubet e tjera në parandalimin e sjelljeve të tilla. Njëkohësisht kërkojmë nga Federata Sllovake që të reagojë për këto slogane të porositura kundër klubit tonë kampion dhe u bëjmë me dije se jemi partnerë të barabartë në UEFA e FIFA.

Ndërkohë, përgëzojmë futbollistët e KF “Feronikeli” që përkundër thirrjeve dhe sloganeve të tilla treguan lojë burrërore dhe besojmë në suksesin e tyre të mëtejmë.

Prishtinë, 24 korrik, 2019

Presidenti, Agim Ademi

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së