Hasani: Haradinaj është vetëm ish-kryeministër, asgjë më shumë
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ia ka sqaruar kryeministrit Ramush Haradinaj se dorëheqja e tij është e pakthyeshme, pikërisht ashtu sic e ka thënë edhe vetë “dorëheqje e parevokueshme”.
Sipas Hasanit, Haradinaj do të mund të konsiderohej kryeministër në detyrë nëse ai do të ishte rrëzuar nga posti i tij nga Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet një mocioni mosbesimi.
Hasani në Rtv Dukagjini ka thënë se është hipokrizi me thënë se po jap dorëheqje për të mos e çuar Kosovën në Hagë, e pastaj me intepretu vetë Kushtetutën e me thënë kjo është ‘qeveri në dorëheqje’, siç bëri Haradinaj.
“Në momentin që ke dhanë dorëheqje të parevokueshme, atëherë je ish-kryeministër. Ashtu e thotë ligji. Haradinaj është vetëm ish-kryeministër, asgjë më shumë. S’mund të marr asnjë vendim më. Mund të qëndrojë në zyre, nëse ato janë të mira, me u flladit, por vendime s’mund të marrin”, ka thënë Hasani.
Hasani ka tërhequr paralele mes dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe dorëheqjes së Qasim Qeskës nga posti i kreut të Komunës së Rahovecit. Haradinaj duhet të shkojë në shtëpi sikur Qeska, ka thënë Hasani.
Gjykata Kushtetuese, nëpërmjet një aktvendimi, pas një kërkese për sqarim që kishte paraqitur presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu pas dorëheqjes së Qeskës, kishte përcaktuar se akti i dorëheqjes konsiderohet përfundim i mandatit.























