Dorëheqja e Haradinajt, zgjedhje të pashmangshme
Bajram Lani
Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, i ka aktivizuar partitë politike për t’u bërë gati për zgjedhje të parakohshme, të cilat nga analistët politikë, shihen si të pashmangshme. Koalicionet nuk do të jenë të lehta, duke pasur fragmentarizimin e madh të skenës politike në Kosovë. Megjithatë, analistët politikë, shohin se disa parti kanë nisur të përafrohen.
Dikush ka vënë vija të kuqe për dikë, e dikush ka hapur ofertën për partnerë parazgjedhorë. Gjithsesi, të gjitha partitë janë aktivizuar pas dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit. Megjithatë, në një skenë politike jo pak të fragmentarizuar, arritja e koalicioneve do të jetë jo e lehtë. Sidomos nëse synohet të ketë koalicione parazgjedhore.
Një afërsi ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes, sheh analisti politik, Taulant Kryeziu, nga Instituti EPIK, i cili thotë se te këto dy subjekte, kohëve të fundit është parë një qasje e përafërt sa i përket dialogut me Serbinë, sa i përket ruajtjes së deklaratës së pavarësisë së Republikës së Kosovës, vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe integritetit territorial të vendit.
“Kjo i ka bashkuar VV-në e LDK-në. Unë shoh afërsi mes tyre dhe realisht një koalicion mes tyre do të prodhonte një qeveri stabile dhe me numra të bollshëm në mënyrë që të shtyhet përpara tema më e rëndësishme, që është arritja e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kryeziu për Radio Kosovën.
Ndërsa analisti Imer Mushkolaj thotë se mund të ketë koalicione parazgjedhore me partitë e vogla, por është skeptik se kjo mund të ndodhë me partitë e mëdha, sidomos jo ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së. Madje, për LDK-në, nuk habitet nëse pas zgjedhjeve, i kapërcen vijat e kuqe.
“Unë personalisht nuk do të befasohesha edhe nëse LDK-ja do të bënte koalicion me PDK-në. Fundja e njohin mirë njëra-tjetrën dhe pse jo do të mund të ishte edhe një koalicion me arsyetimin se kjo po bëhet ‘për të mirën” e Kosovës. E shëndetshme do të ishte edhe për PDK-në edhe për gjithë skenën politike, që një parti si PDK-ja+, e cila qeveris tash e 12 vjet, të shkojë në opozitë’”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.
Për koalicion parazgjedhor, pretendimet deri më tani i ka shprehur vetëm Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka ftuar LDK-në për koordinim. Kurse partitë e tjera aktualisht kanë zgjedhur të heshtin, në pritje të rrjedhës së zhvillimeve politike.























