Vihet gurthemeli i shtatores së Adem Demaçit
Me rastin e njëvjetorit të vdekjes së veprimtarit Adem Demaçi, sot është vënë gurthemeli i shtatores, por me bocetat u shpreh e pakënaqur familja e simbolit të rezistencës kombëtare.
Në vënien e gurthemelit mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili veprimtarin Adem Demaci e vlerësoi si njeri i cili popullit të vet, i dha lirinë dhe ishte frymëzues për të gjithë.
Sipas tij, forca e Demaçit i duhet Kosovës për të mbajtur konsistencën e saj.
Ndërsa, kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, Hidajet Hyseni tha se Demaçi ka folur edhe kur nuk ka folur dhe se tani e tutje ai do të pushojë dhe do flasë në bronz dhe do japë mesazhe siç ka dhënë brez pas brezi.
Por bocetat nuk iu kanë pëlqyer familjarëve të veprimtarit Adem Demaçi, e këtë shqetësim para të pranishmëve e paraqiti djali i Demaçit, Shqiptari, i cili tha se nuk janë pajtuar me modelet pasi që mendojnë se ka zgjidhje më të mira për këtë shtatore.
E gjatë ditës së sotme kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dhe familjarët e Adem Demaçit në shenjë nderim kanë bërë homazhe tek varri i tij, ndërsa në orën 12:00 do mbahet edhe një akademi përkujtimore në Bibliotekën Kombëtare.























