Shqetësues rritja e numrit të aksidenteve në komunikacion me fatalitet
BKT
Lajme

Shqetësues rritja e numrit të aksidenteve në komunikacion me fatalitet

Në vend vazhdon të jetë shqetësues rritja e numrit të aksidenteve në komunikacion me fatalitet. Njohës të komunikacionit thonë se shkaktarët janë të shumtë. Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit, tha për Radio Kosovën se institucionet e vendit nuk janë të përgatitura për sezonin veror, për parandalimin e aksidenteve në komunikacion, kur dihet se në verë ka shtim të numrit të automjeteve.

Ndonëse Policia e Kosovës ka rritur numrin e gjobave në trafik, shifrat e aksidenteve me fatalitet në vend vazhdojnë të jenë shqetësuese. Sipas një përgjigje elektronike dhënë Radio Kosovës nga Polica e Kosovës, thuhet se për periudhën gjashtëmujore krahasuar me vitin paraprak, vërehet  ulje e aksidenteve të të gjitha llojeve. Derisa në gjashtë mujorin e vitit 2018, kishte 52 persona të vdekur në aksidente komunikacioni, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, ky numër ka rënë në 43.

Eksperti për komunikacion, Nol Dedaj, thotë për Radio Kosovën se shkaktarët e aksidenteve me fatalitet janë mospërshtatja e shpejtësisë, përdorimi i pijeve alkoolike si dhe substancave narkotike.

”Brenga ime është se institucionet tona nuk janë fare të përgatitura për sezonin veror dhe parandalimin e aksidenteve. Duhet pasur parasysh se policia duhet të jetë prezent me aktivitetet e saja për sa i përket sigurisë rrugore. Sigurisht edhe ministria duhet të ndërmarrë hapa konkretë për sa i përket sigurisë rrugore", tha Dedaj.

Dedaj tutje thotë se Kosova do të duhej të kishte një agjenci të sigurisë rrugore që do të furnizohej nga një institut i sigurisë rrugore, e cila do të merrej me hulumtimin e aksidenteve.

”Që duhet të bëhet analiza e secilit aksident, çoftë me  me fatalitet ose me dëme material, ose edhe me lëndime trupore. Prandaj në bazë të studimeve aty do të dalin edhe masat preventive se cilat duhet të merren. Kjo duhet të bëhet  çdo javë, jo çdo muaj apo stinë" tha Dedaj.

E kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në vend si dhe bashkatdhetarëve që të kenë kujdes të shtuar në komunikacion.

Fatmirësisht po vijnë në Kosovë, s’kanë heqë dorë, po e ringjallin Kosovën dhe është festë prezenca e tyre për të gjithë ne. Thirrja ime për ta është të bëjnë kujdes me drejtim të makinave. Pra, edhe në shpejtësi edhe në çdo aspekt tjetër, të mos e kthejnë në dhimbje si në rastin në Rahovec. Po ju bëj thirrje të gjithë ngasësve, jo vetëm diasporës por të gjithëve për kujdes në drejtim të makinave”, tha Haradinaj.

 Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP) ka shpreh shqetësimin lidhur me numrin e lartë të aksidenteve të trafikut me fatalitet, ku sipas tij, në dy vitet e fundit mbi 300 persona humbën jetën në komunikacion.


MË SHUME NGA Lajme