Veseli nuk i shkon në takim ish-kryeministrit Haradinaj
Pasditen e së martës, krerët e koalicionit u takuan për të diskutuar situatën e fundit në vend, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Ky i fundit u kishte dërguar ftesë Kadri Veselit, Fatmir Limajt e Behxhet Pacollit. Megjithatë pjesë e këtij takimi nuk ishte kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Haradinaj kishte bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se do të ftojë për sot në takim krerët e partive që deri më tani ishin pjesë e koalicionit qeverisës.
Megjithatë, pas takimit i pari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se ky takim ishte më shumë për kafe, teksa shtoi se u diskutua edhe rëndësia e shkuarjes sa më shpejt në zgjedhje.
Sa i përket shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, i pari i Nismas shpreson që nga java e ardhshme të ketë një zgjidhje për këtë çështje.
Në këtë takim ishte i ftuar edhe Kadri Veseli, por i njëjti nuk i është përgjigjur ftesës.
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj pas takimit tha se është kohë e fushatës, dhe se është mirë që ka vullnet për zgjedhje.
I njëjti ka paralajmëruar se pas zgjedhjes së kryetarit të ri të LDK-së më 3 gusht, do të shkohet me shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.























