GLPS: Kosova po ngec në implementimin e Ligjit për Ndihmë Shtetërore
BKT
Lajme

GLPS: Kosova po ngec në implementimin e Ligjit për Ndihmë Shtetërore

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësimin lidhur me mosimplementimin e Ligjit për Ndihmë Shtetërore, dhe bën thirje për përdorim dhe alokim më efikas të parasë publike nga institucionet e Kosovës, duke promovuar kështu konkurrencën e drejtë si element kyç për funksionimin e mirëfilltë të tregut.

“Edhe pse Ligji për Ndihmë Shtetërore ka hyrë në fuqi në fillim të vitit 2017, Departamenti për Ndihmë Shtetërore dhe Komisioni ende nuk kanë marrë masa adekuate hetimore kundrejtë skemave ekzistuese në mënyrë që të bëhet një vlerësim nëse ndihmat shtetërore ekzistuese janë në harmoni të plotë me Ligjin në fjalë. Sipas nenit 16 të këtij Ligji, ‘’Komisioni propozon masa adekuate për të siguruar që çfarëdo skeme ekzistuese e ndihmës të jetë në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Sipas kësaj, Komisioni mund të kërkojë ndërprerjen e ndihmës ekzistuese dhe të vendosë për fillimin e hetimeve lidhur me ndihmë të kundërligjshme”.

“Për më tepër, neni 11 i Ligjit për Ndihmë Shtetërore parasheh që për të gjitha skemat e ndihmës shtetërore, dhënësi i ndihmës -Institutcionet e Kosovës- duhet të njoftojë Departamentin për Ndihmë Shtetërore lidhur me llojin dhe planin e ndihmës, në mënyrë që ky i fundit të vlerësoj përputhshmërinë e ndihmës shtetërore me dispozitat e Ligjit, brenda afatit të caktuar. Kjo procedurë rregullohet detajisht edhe me Rregulloren nr.19/2018 për Procedurat dhe Format  e Njoftimit për Ndihmën Shtetërore”.

” Edhe pse procedurat e njoftimit për ndihmë shtetërore ekzistojnë, ato nuk janë përdorur ende nga institutcionet e Kosovës, siç është edhe rasti i marrëveshjes së nëshkruar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe ContourGlobal për ndërtimin e Kosovës së Re, e cila përmban elemente në kundërshtim me Ligjin për Ndihmë Shtetërore, si dhe me dispozitat e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, thuhet në një njoftim për media të këtij grupi.

GLPS bën thirrje që institutcionet relevante, Departamenti për Ndihmë Shtetërore dhe Komisioni, të implementojnë Ligjin për Ndihmë Shtetërore, duke u fokusuar në rastet të cilat përmbajnë elemente në kundërshtim me Ligjin në fjalë, si dhe në sektorët të cilët janë më të prirur të dëmtojnë konkurrrencën e drejtë në treg (i.e. telekomunikacioni, energjia, si dhe ndër të tjerash, lehtësimet selektive nga taksat).


MË SHUME NGA Lajme