MPJ: Kosova zbaton marrëveshjet e arritura në dialog, Serbia krijon pengesa
“Kosova mbetet e përkushtuar të zbatojë në mirëbesim të gjitha marrëveshjet e arritura në Dialog në Bruksel”.
Kështu thuhet në një reagim të Jetlir Zyberej, këshilltarit të ministrisë së Jashtme të cilin mund ta gjeni më poshtë.
Kosova mund të shërbejë si një shembull për Serbinë* në këtë drejtim.
Ne kemi zbatuar me sukses marrëveshjen për lëvizjen e lirë që ka normalizuar lëvizjen e popujve midis dy vendeve. Kosova respekton plotësisht marrëveshjen dhe mbetet e angazhuar për detyrimet ndërkombëtare që ka marrë.
Lëvizja e lirë është një element kyç i integrimit evropian dhe bashkëpunimit më të fortë rajonal.
Por Serbia* po ndërmerr veprime që kërcënojnë këtë marrëveshje dhe po vazhdon të krijojë pengesa për qytetarët tanë dhe po vazhdon me propagandën e saj për gjoja masa “ekstreme”.
Qytetarët e të dyja vendeve mund të udhëtojnë vetëm me letërnjoftim, por nëse duan të kalojnë nga Serbia* në një shtet të tretë, u nevojitet pasaporta.
Bashkimi Evropian si lehtësues dhe garantues i marrëveshjeve të arritura në Bruksel duhet të ndalojë Beogradin nga sjellja dhe veprimet aktuale.
*Ky përcaktim është pranuar për faktin se shteti i Serbisë ka kryer krimet më të rënda kundër njerëzimit(pas luftës së dytë botërore) në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera.
Shteti serb vazhdon edhe sot të pengojë pajtimin në rajon.
Këto deklarime vijnë pas raportimeve nëpër media se Drejtoria Kufitare e Policisë së Kosovës ka marrë vendim për të mos i njohur pasaportat serbe kur qytetarët e Serbisë hyn në Kosovës.























