Në arsim të lartë duhet të ketë më shumë transparencë
BKT
Lajme

Në arsim të lartë duhet të ketë më shumë transparencë

Ardiana Hajzeri

Projekti “Cilësi, llogaridhënie, integritet dhe transparencë në arsimin e lartë”, i cili do të zbatohet nga Qendra për Arsim e Kosovës, Organizata për Ngritje të Cilësisë në Arsim dhe Qendra për Inovacion Shoqëror, do të ndikojë në ngritjen e sistemit të arsimit të lartë në Kosovë.

Bartësit e këtij projekti dhe njohës të çështjeve të arsimit vlerësojnë se nëse do të vazhdojnë ndërhyrjet politike në vendimet e Agjencisë se Akreditimit, atëherë projekti mund të dështojë.

Zbatimi i projektit “Cilësi, llogaridhënie, integritet dhe transparencë në arsimin e lartë” nëse arrin të realizohet do të ndikonte shumë në ngritjen e transparencës në arsimin e lartë. Dukagjin Pupovci,  nga Qendra për Arsim në Kosovë, që është bartës i këtij projekti, tha për Radio Kosovën  se zhvillimet e fundit, ku shihet një komunikim i ashpër dhe ndërhyrje e politikës në vendimet e Agjencisë së Akreditimit, tregojnë se do të jetë bukur vështirë për t’u realizuar ky projekt.

“ Ky projekt do të ofrojë ndihmë për Agjencinë e Akreditimit për të monitoruar institucionet e akredituara. Në bazë të zhvillimeve që po shohim këto ditë, shihet që është projekt me rrezik të madh gjithmonë nëse do të ketë ndërhyrje të qeverisë në punën e Agjencisë së Akreditimit. Nëse do të ketë kësi lloj komunikimi ndërmjet universiteteve dhe Agjencisë, ose Ministrisë dhe universiteteve, atëherë do të jetë shumë e vështirë që këtu të zhvillohet transparenca dhe llogaridhënia”, ka thënë Popovci.

E Rron Gjinovci, nga Organizata për Ngritje të Cilësisë në Arsim, po ashtu bartës i këtij projekti, tha për Radio Kosovën se projekti do të ndihmojë që mos të ketë ndërhyrje politike në institucionet e pavarura të arsimit në Kosovë.

 “Organizata për Ngritje të Cilësisë në Arsim është zotuar që do të mbrojë më çdo kusht pavarësinë e Agjencisë për Akreditim. Dhe jo vetëm Organizata për Ngritje të Cilësisë në Arsim por është një vullnet i përgjithshëm qytetar që mos të ketë ndërhyrje politike në institucionet e pavarura të arsimit në Kosovë”, ka thënë Gjinovci.

 Gjatë ceremonisë së përurimit të projektit ishte dhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili pati deklaruar se projekti do të shërbejë në ngritjen e cilësisë në arsim. Ndërkaq, pas vendimeve të fundit të Agjencisë për Akreditim, ka pasur reagime nga ana e tij.

Ndërkaq, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernt Pfander, që është financues i këtij projekti, tha se Qeveria e Austrisë është fokusuar në fushën e arsimit, për arsye se Kosova ka numër të madh të të rinjve. Dhe ky projekt synon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe për të përmirësuar cilësinë në arsimin e lartë në Kosovë.

 Projekti “Cilësi, llogaridhënie, integritet dhe transparencë në arsimin e lartë” do të zgjasë tri vjet dhe financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim, e mbështetur nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.


MË SHUME NGA Lajme