Kuçi: Do të bashkëpunojmë me parti që kanë pretendime më të mëdha se 5%
Partia Demokratike e Kosovës nuk ka menduar ende për ndonjë koalicion të mundshëm me partitë tjera politike, derisa është e hapur për bashkëpunim me të gjitha ato parti që kanë pretendime më të mëdha se 5%. Kështu tha nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi pas mbledhjes së këshillit drejtues të kësaj partie.
Ai para mediave tha se me vota unanime është zyrtarizuar si kandidat i PDK-së për kryeministër, i pari i kësaj partie, Kadri Veseli.
Sipas Kuçit, Veseli ka vepruar edhe kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Për çka siç tha ai, ka bërë reforma të guximshme, duke nisur nga brenda PDK-së.
Në 20 vjetët e fundit, ai ka thënë se PDK ka bërë shumë për vendin dhe se njerëzit e PDK-së kanë udhëhequr luftën për liri, procesin e pavarësisë dhe shtetndërtimin.
I pyetur për koalicionet zgjedhore me partitë tjera politike, Kuçi tha se do të jenë në bashkëpunim me partitë të cilat kanë pretendime më të mëdha se 5 për qind.
Pikë tjetër e rendit të ditës, në mbledhjen e këshillit drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë edhe përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme.























