Basha pas takimit me Leikert: Zgjidhja e krizës, zgjedhje të parakohshme
Zgjidhja e krizës politike kalon me zgjedhje të parakohshme”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Basha sot pas takim në selinë e PD-së , me nënkryetare e grupit parlamentar CDU/CSU për Europën, Katja Leikert.
Në një prononcim për mediat, Basha tha se takimi me nënkryetaren e grupit parlamentar të CDU/CSU është një provë më shumë se zgjidhja e kësaj krizë zgjidhet kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku qytetarët shqiptarë do kenë mundësi të thonë fjalën e tyre me një votë të lirë dhe të pandikuar nga krimi. Sipas tij, një qeveri tranzitore pa Edi Ramën do të thotë zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet kushtetuese lokale.
“PD dhe opozita është në komunikim të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar, pjesë e këtij takimi ishte dhe ai me nënkryetaren, komunikim që vazhdon intensivisht e në mënyrë të përditshme. Opozita e bashkuar dhe PD janë të vendosur, dhe qëllimi që i kanë vënë vetes është t’u shërbejnë qytetarëve dhe jo zgjidhjeve artificiale për hir të karrigeve tona apo pushtetit tonë. Zgjidhja e krizës do vijë mes atyre mekanizmave atyre garancive që do të pengojë çdo qeveri të ardhshme të bjerë në batak”, tha ai.
Duke folur për aksionin opozitar, Basha tha se protestat do të jenë më të madha e më të fuqishme.
“Opozita ka vazhduar gjatë gjithë verës aksionin e saj, por bashkë me qytetarët do të vazhdojnë protesta më të mëdha dhe më të fuqishme dhe do fokusohemi më shumë te zgjidhjet që u ofrojmë shqiptarëve dhe po punojmë çdo ditë me programin tonë, duke vijuar në shtator me biznesin e vogël dhe fermerët dhe nga ana tjetër do të bëjmë platformën tonë Shqipëria si Europa,” theksoi ai.























