Pacolli: Marrëveshja finale Kosovë-Serbi duhet të arrihet
RTKlive
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, tha se ndërkombëtarët janë më aktiv.
“Qeveria e re do t’i hapë rrugë dialogut, taksa besoj do të hiqet. Marrëveshja finale me Serbinë duhet të arrihet. Këto zgjedhje do të jenë shumë të vështira”, tha ai sonte në emisionin “Debat”, në RTK.
Për Serbinë e cila po punon kundër interesave të Kosovës, Pacolli tha se Serbia po bën propagandë aktive kundër Kosovës. “Flet për tërheqjen e njohjeve, por kjo nuk është e vërtetë”, tha Pacolli.
“Kosova sot shihet si vend që e bllokon dialogun, si vend që nuk dëgjon dhe që nuk kryen punë me miqtë e saj. Përpara ka pasur mbështetje, por pas vitit të fundit vërehet mungesa e mbështetjes. Shpresoj se ajo do të kthehet”, tha ajo.
Pacolli: Në këtë qeveri nuk kemi pasur timon, kemi qenë pasagjerë
Aleanca Kosova e Re (AKR) ka nënshkruar koalicionin parazgjedhor me Nismën Socialdemokrate me të cilin do të futen në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 6 tetor.
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka vlerësuar se në këto dy vite ka punuar në krah me liderin e Nismës, Limaj dhe kanë pasur gjykime të njëjta për punët e qeverisë.
“Për këto dy vite ne kemi pasur bashkëpunim të mirë dhe kjo ka ndikuar që të kemi koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e parakohshme”, tha ai sonte në emisionin “Debat”, në RTK.
Sipas tij shumë kush thotë është dashur, ose nuk është dashur të bëhet kjo që ndodhi në skenën politike muajin e fundit.
“Jetojmë në një milenium të ri dhe ajo çka vërej tek partitë është se programet e tyre janë të freskuara. Nisma ka program të qendrës së majtë kurse AKR e ka liberale të djathtë”, tha ai. Pacolli vlerësoi se AKR nuk e ka gënjyer qytetarin as nuk ka shkuar kurrë kundër interesave të qytetarit. “Jemi munduar të japim kontributin tonë”, tha ai.
Partia e Drejtësisë i bashkangjitet koalicioni AKR-Nisma
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, bëri me dije se kanë bërë koalicion edhe me PD. “Besoj se nuk do të kemi koalicione me parti të mëdha. Nga sot në koalicionin AKR e nisma është bashkëngjitur edhe Partia e Drejtësisë, e z. Agani. Agani nuk e ka keqpërdorur interesin e qytetarit”, tha ai.
Pacolli: Në Kosovë përmes fabrikave të mija kam gjeneruar 5 mijë vende të punës
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, tha se duan t’i tregojnë qytetarit një lloj tjetër të qeverisjes.
“Në Kosovë përmes fabrikave të mija kam gjeneruar 5 mijë vende të punës. Vetëdija e qytetarit në Kosovë ka qenë ë tillë ku gjërat janë trajtuar me inat. Më kanë sharë shumë, madje madje më kanë quajtur edhe grabitës. Unë nuk jam grabitës. Unë kam punuar dhe fituar jashtë. Në Kosovë kam investuar. Disa trende ekonomike në Kosovë i kemi humbur, sidomos për ‘Trepçën’, sepse u krijua përshtypja që unë po shikojë të fitojë diçka për vete e nuk ishte ashtu”, tha ai.
Pacolli: Agim Bahtiri ka qenë euforik
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka folur edhe për ish-partiakun që së fundi iu ka bashkangjitur Vetëvendosjes.
“Zoti Agim Bahtiri në mënyrë euforike ka folur se AKR është partia ku ai do të plaket. Unë jam njeri me prirje që të besoj, dhe njerëzit prap mund të më mashtrojnë”, tha Pacolli sonte në emisionin “Debat”, në RTK.
Pacolli: Fajtore për ikjen e të rinjve është politika
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, tha se njerëzit duhet të lëvizin lirshëm, kosovarët mund të shkojnë ta shijojnë perëndimin dhe të kthehen prapë në Kosovë. Nëse kanë ndonjë mundësi, le ta shfrytëzojnë. Unë jam njëri nga ata që kam shkuar e punuar jashtë, por nuk jam shkëputur fare nga Kosova. Pse po ikin të rinjtë , fajtore është politika. Nuk dua ta shfajësoj”, tha ai.
Pacolli: Fillimisht taksa ka qenë hap i qëlluar
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, tha se për ushtrinë nuk kemi bërë asgjë. “Vetëm ia kemi ndryshuar emrin:, tha ai.
Për taksën, Pacolli tha se fillimisht ka qenë hap i qëlluar, por gjatë procesit është dashur të adresohen disa probleme vitale për Kosovën. “Liderët që thonë se nuk do ta heqin taksën po gënjejnë. Nuk është mirë të mashtrohet elektorati”, tha ai. “Isha ministër i jashtëm por e kisha shumë vështirë, sepse nuk kisha mundësi të japë asnjë përgjigje për çështjet që ishin në tryezë. Thjeshtë nuk kisha informacion. Politika nuk ishte e koordinuar”, tha ai.
Pacolli:Vizat nuk u liberalizuan thjeshtë sepse nuk është punuar sa duhet
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, tha se vizat nuk u liberalizuan thjeshtë sepse nuk është punuar sa duhet. “Liberalizimi i vizave varet edhe nga proceset e tjera”, tha ai.























