Kosnett: Gratë s’kanë mundësi të barabarta për të kontribuar në ekonomi
BKT
Lajme

Kosnett: Gratë s’kanë mundësi të barabarta për të kontribuar në ekonomi

Është shënuar sot ceremonia e përfundimit të kampit të parë veror për vajza WiSci Kosovo, me fokus në mësime nga shkenca, teknologjia, inxhinieria, arti, dizajni dhe matematika. Në këtë kamp kanë marrë pjesë 100 vajza nga Kosova, Shqipëria, Amerika, Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Serbia.

Këto vajza për 10 ditë kanë qëndruar në Prishtinë, ku kanë marrë mësime në tema novatore si robotika dhe kodimi, teknologjia e dronëve, burimet e energjisë së ripërtërira, teknologjitë e auto-rrugëve dhe tema të tjera që për qëllim kanë pasur të frymëzojnë vajzat të jenë të guximshme dhe të avancohen në arsim dhe sipërmarrje, duke ua zhvilluar besimin dhe aftësitë e tyre të lidershipit.

Ky kamp po ashtu ka synuar që t’i përgatisë vajzat për arsimin e tyre të ardhshëm dhe t’i inkurajojë ato që të ndjekin ndonjë nga rrugët profesionale të ofruara në programet STEM.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe ambasadori i SHBA-së Philip Kosnett, i cili tha se ky program është shumë special që të rinjtë të kenë përvoja të reja.

Drejtoresha e Millennium Challenge Corporation (MCC) për Kosovë Sarah Olmstead, u shpreh se kjo përvojë do t’i bëjë vajzat pjesëmarrëse edhe më të forta.

Drejtori ekzekutiv i Fondacionit të Sfidave të Mileniumit të Kosovës Petrit Selimi, ka thënë se gratë dhe vajzat shkencëtare janë të domosdoshme në shoqërinë kosovare.

Në ceremoninë përmbyllëse disa nga pjesëmarrëset kanë treguar përvojat e tyre, derisa kanë theksuar se gjatë dy javëve të kampit kanë mësuar shumë gjëra rreth teknologjisë që nuk i kishin ditur më herët. Ato kanë vlerësuar edhe miqësinë që e kanë krijuar gjatë aktiviteteve të kampit.


MË SHUME NGA Lajme