Haziri flet për takimin Mustafa-Kurti
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri, beson se është duke ndodhur bashkimi ndërmjet partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai në një prononcim për media para selisë së LDK-së ka folur rreth mundësisë së arritjes së një marrëveshje parazgjedhore të kësaj partie me Vetëvendosjen.
Tha se VV ka pasur gjithmonë të nominuarin e vetëm për kryeministër Albin Kurtin dhe se nuk kanë pasur plan të dytë asnjëherë.
“Ata, de-facto e kanë liderin e tyre, Kurti ka qenë gjithmonë i nominuari i vetëm i Vetëvendosjes për kryeministër. Nuk kanë pasur plan të dytë asnjëherë. Kësaj here ne po i themi, bashkohuni me ne, se me Vjosën ne dalim mirë të dy subjektet politike... Ne po punojmë për t’u bashkuar dhe besoj që bashkimi po ndodhë”, u shpreh Haziri.
Sa i përket takimit të sotëm të kryetarit të LDK-së Isa Mustafës dhe Albin Kurtit të LVV-së, ai tha se të njëjtit janë duke punuar për të finalizuar marrëveshjen parazgjedhore mes dy subjekteve.
Ndryshe, Komisioni Qendror Zgjedhor u ka caktuar afat subjekteve politike për lidhjen e koalicioneve të mundshme parazgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit, deri më 30 gusht.























