Ditën e të zhdukurve, kritika institucioneve vendore e atyre ndërkombëtare
Mejreme Tahirukaj, Radio Kosova
30 gushti, Dita Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur po shënohet edhe në vendin tonë. Në një sërë aktivitetesh që janë mbajtur gjatë kësaj jave, janë kritikuar institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare për mos seriozitet për zbardhjen e fatit të njëmijë e 653 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
30 Gushti, Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve, shënohet në mbarë botën. Problemi i të zhdukurve është preokupim për shumë vende të dala nga lufta, përfshirë edhe Kosovën. Prandaj Qeveria e Kosovës dhe shoqëria civile gjatë javës kanë organizuar një sërë aktivitetesh për të shënuar këtë ditë. Në vendin tonë kjo ditë ka dimension të veçantë, sepse ende nuk dihet fati i njëmijë e 653 personave. Në këtë ditë institucionet e Kosovës dhe OJQ u kanë bërë thirrje institucioneve të Serbisë që sa më parë të bëjnë hapjen e arkivave të ushtrisë ish jugosllave.
Kushtrim Gara, koordinator i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka thënë se zbardhja e fatit të personave të zhdukur, vënia para drejtësisë të gjithë atyre që kanë kryer krime me përmasa gjenocidi dhe kërkim falja, janë parakusht për paqe të qëndrueshme me Serbinë. Ndërkaq Brukseli është parë si mundësi për të kushtëzuar Serbinë në proceset integruese.
“Meqë është parë Brukseli, në përgjithësi Bashkimi Evropian si mundësi për ta kushtëzuar Serbinë në proceset e mëtutjeshme integruese,me bashkëpunimin apo dhënien e informacioneve për fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur. Sepse tanimë e dimë dhe është konfirmuar se ato informata gjenden në arkivat e ushtrisë së Serbisë”, tha Gara.
Jahja Lluka, bartës i dosjes për persona të zhdukur, ka thënë se për krimet në përmasa gjenocidi duhet të përgjigjet dikush dhe ne jemi të obliguar që të ngritëm zërin. Ai gjithashtu ka thënë se pajtimi nuk mund të bëhet pa zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Edhe ky gjenocid dikur duhet të paguhet edhe ne duhet ta ngritëm zërin. Nëse ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në OKB e ngritë zërin për kërkim falje, pse Serbia nuk kërkon falje?!. Ne i kemi të gjitha këto viktima, prandaj duhet të jemi më të zëshëm”, tha Lluka.
Gjatë këtyre 20 vjetëve Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur të gjitha testet e AND-së i ka bërë pa pagesë dhe ka ofruar ndihmë teknike për institucionet përgjegjëse për persona të zhdukur dhe familjarët e tyre. Luigj Ndou, nga ICMP-ja, shprehet se që nga vitit 99 ky komision ka mbledhur mbi 15 mijë mostra familjare të gjakut dhe ka ndihmuar në identifikimin e 2 mijë personave të zhdukur.
“Jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkanin Perëndimor është arritur sukses i cili është i pa precedent në nivel global, ku mbi 70 për qind të personave të zhdukur që ishte mbi 40 mijë pas ngjarjeve dhe konflikteve të armatosura, ky numër ka arritur më pas 11 mijë”, ka thënë Ndou.
Instituti i Mjekësisë Ligjore në ekipe të ndara vazhdimisht ka punuar në teren në hapjen e lokacioneve të shënjuara si në vend ashtu edhe në dy lokacione në Serbi. Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, tha se pa u hapur arkivat e Serbisë nuk mund të pritet ndonjë rezultat i mirëfilltë. Gërxhaliu thotë se ka disa probleme për mos arritjen në Kosovë të dokumenteve të Tribunalit të Hagës.
“I kanë hapur mbi 4 mijë raste dhe këto dokumente nuk i kemi pasur dhe është punuar pa metodën e AND”, ka thënë Gërxhaliu.
Ndryshe Instituti i Mjekësisë Ligjore gjatë këtij viti ka realizuar 19 operacione në terren, siç janë zhvarrimet, vlerësimet dhe konfirmimi i identitetit, të cilat janë bërë duke u bazuar në kapacitetet profesionale vendore. Në të njëjtën periudhë është vepruar edhe në Kizhevak të Serbisë dhe në territorin e Kosovës. Prej këtyre proceseve janë gjetur mbetjet e 9 individëve. Bajram Qerkini, nga Qendra Burimore për Persona, ka thënë se institucionet vendore ashtu edhe ndërkombëtarët nuk po e marrin seriozisht fatin e të pagjeturve.
“Ne si qendër burimore kemi ardhur në përfundim se nuk po merret seriozisht çështja e të pagjeturve as prej ndërkombëtarëve e as vendorëve. Në Kosovë asgjë nuk është bërë fshehurazi,ndërkombëtarët na kanë më shumë borxh, pasi ata kanë imazhe satelitore. Janë marrë vendime dhe as Prishtina as Beogradi nuk kanë marrë përgjegjësi, dhe kështu nuk po mund t’i shtyjmë proceset përpara”,ka thënë Qerkini.
Edhe Millorad Trifuniviq, nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, thotë se çështja e të pagjeturve nuk po merret seriozisht.
“Ne kurrë nuk do të ndalemi deri sa të gjejmë edhe personin e fundit, interesimi i politikanëve jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, mendimi personal, nuk është i mjaftueshëm dhe nuk janë të interesuar për zgjidhjen e fatit të të zhdukurve”, ka thënë Trifuniviq.
Familjarët shprehen të dëshpëruar për mos zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. Nusrete Kumnova, nga “Thirrjet e nënave”, thotë se ende nuk dinë për fatin e djalit të saj, Albionit. Ndërkaq Bahrije Azemi, nga fshati Lubovec i Skenderajt, thotë se e ka djalin të zhdukur, i cili ka qenë edhe i plagosur.
Ndërkaq ambasadorët e akredituar në Kosovë kanë porositur politikanët e Kosovës që të mos keqpërdorin çështjen e të zhdukurve. Ambasadori në largim i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ka dalë me një porosi të fuqishme për politikanët.
“Qeveritë në Ballkan kanë dhënë zotimin në Samitin e Londrës që mos të keqpërdoret kjo çështje për arsye politike. Është gjëja më e lehtë gjatë fushatës zgjedhore të dalësh dhe të tentosh të prezantohesh si patriot më i madh. Mendoj që njerëzit janë lodhur me prezantime të tilla të politikanëve. Më e rëndësishme është që Kosova dhe Serbia të mbajnë mend zotimin që kanë dhënë edhe mos të politizojnë këtë çështje”, ka thënë O’Conell.
Ndërkaq ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë përparimin në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
“Ka suksese për t’u përmendur, puna ndër etnike nga qendra burimore është unike, sepse i bashkon. Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë bisedimet për përparim për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre”, ka thënë Kosnett.
Ndryshe gërmimet vlerësuese në territorin e Kosovës nuk bëhen në baza etnike. Ndërkaq rastet që identifikohen së pari njoftohet familja. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur që nga muaji tetor i vitit 2015 ka nënshkruar marrëveshje me Komisionin për të Zhdukur të Malit të Zi dhe tani në shtator të këtij vitit pritet t’i dorëzohen 5 mbetje mortore.























