Koncept-dokumenti për skemën e ndihmës sociale lansohet për konsultime
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka lansuar koncept-dokumentin për skemën e ndihmës sociale.
Reçica, ligjin aktual për asistencë sociale e cilësoi si diskriminues dhe me mangësi. Një ndër mangësitë sipas ministrit është ndalja e asistencës për familjet që ndonjë anëtarë i tyre është në një marrëdhënie pune, mandej ndërprerja e ndihmës sociale për fëmijët mbi moshën 5 vjeçare.
Në bazë të programit legjislativë të MPMS, si dhe strategjisë së saj bazuar në planin kombëtar për zbatimin e MSAS-së, MPMS lanson një nga dokumentet më të rëndësishme kohëve të fundit sipas Reçicës.
Ai tha se ligji për skemat pensionale do të bazohet në praktikat më të mira të mbështetura në praktikat e Bashkimit Evropian.
Ai duke u ndalur në parashtrimin e projektligjit të ri, tha se fëmijëve me asistencë sociale nuk do t’iu ndërpritet ndihma deri në moshën 18 vjeçare, me gjasë nga 10 euro. 70 mijë fëmijë do të përfitojnë nga kjo skemë.
Në fund ministri tha se qëllimi i këtij projektligji është që shkallën e varfërisë nga 16.3 sa është momentalisht do të ulet në 11.5 përqind me qëllim eliminimin e saj tërësisht.
“Qëllimi i krejt kësaj reforme ka të bëjë që ta luftojmë varfërinë dhe me opsionin që ne e kemi propozuar vetëm në vitin e parë shkalla e varfërisë nga 16.3 sa është do të ulet në 11.5 për t’u vazhduar vite pas viteve deri në eliminim e plotë të shkallës së varfërisë në vend”, tha ai.























