Shumë faktorë ndikuan tek stopimi i njohjeve
Pajtim Çuni, Radio Kosova
Vetëm dy njohje i kanë ardhur Kosovës në mandatin e dytë qeverisës të Haradinajt. Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare pohojnë se ky është dështim i diplomacisë kosovare.
Sipas tyre, në ngadalësimin e procesit të njohjeve ka ndikuar edhe dialogu me Serbinë dhe ideja e shkëmbimit të territoreve.
Fillon me Kosta Rikën e përfundon me Barbadosin, lista e 116 shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, bazuar në ueb faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Por, ky numër mund të mos jetë kaq, pasi shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, në dy vitet e fundit, ka prezantuar tërheqjen e disa njohjeve. E deri sa nuk dihet numri i saktë njohjeve, ajo që dihet është se gjatë qeverisjes së fundit, ku ministër i Punëve të Jashtme ishte Behgjet Pacolli, Kosovën e kanë njohur vetëm dy shtete. Për profesorin e të Drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, ky fakt tregon për dështimin e diplomacisë kosovare.
“Nuk kam dilemë dhe nuk mund të thuhet ndryshe, përveç se dështim i politikës sonë të jashtme. Në radhë të parë në vetvete shërbimi i jashtëm, në vija të trasha është i tmerrshëm dhe pothuajse jofunksional, andaj nuk ka arritur të konsolidohen për të siguruar më shumë njohje dhe për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar”, tha ai.
Hoti thotë se përveç kësaj ka edhe faktorë të tjerë që kanë stopuar njohjet, përfshirë këtu edhe dialogun me Serbinë dhe idenë e shkëmbimit të territoreve. Edhe profesor Emrush Ujkani pohon se kjo e fundit ka ndikuar në ngadalësimin e procesit të njohjeve.
“Hapja e temave sikur kjo e korrigjimit të kufijve dhe gjërave të tjera, kuptohet se kanë hamendësuar edhe aleatët tanë dhe vendet e tjera që akoma nuk e kanë njohur Kosovën natyrisht se kanë një hezitim derisa përfundimisht të dihet se cila do të jetë qasja në këtë drejtim”, pohon ai.
Ujkani thotë se për të pasur rezultate pozitive në njohje, duhet më shumë bashkëpunim me aleatët.
Diplomacia kosovare e pothuajse të pamundur të bëjë më tepër, pa u koordinuar me aleatët strategjikë. Por, fuqizimi i marrëdhënieve diplomatike me vendet që e kanë njohur Kosovën do të mund të parandalonte atë që Serbia po e prezanton si koncept të tërheqjeve të njohjeve e që e Drejta ndërkombëtare nuk e një si të tillë”, tha ai.
Edhe pse e drejta ndërkombëtare nuk e njeh konceptin e çnjohjes, sipas Ministrisë së Jashtme të Serbisë, 15 shtete e kanë tërhequr njohjen. E fundit që ka marrë vendim të tillë është Republika e Afrikës Qendrore, e për këtë në medie është raportuar se Serbia ka paguar 350 mijë euro.























