Osmani: Arsimi do jetë thelbi i ndërtimit të shtetit në Qeverinë e ardhshme
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në Qeverinë e ardhshme, arsimi do të vijojë të kuptohet si thelbi i ndërtimit të shtetit dhe të një shoqërie demokratike.
Ajo ka thënë se Kosova, krahasuar me secilin vend në rajon e Evropë, investon më së paku për kokë banori në arsim.
Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të saj në Facebook:
Rezistencën e bëmë me dije, edhe shtetin do ta bëjmë me dije.
Kam zgjedhur shtëpinë-shkollë të familjes Hertica për t’ua përcjellë mesazhin e urimit të gjithë nxënësve, mësuesve dhe familjeve të Kosovës për fillim të mbarë të vitit shkollor.
Në vitet e rezistencës e të solidaritetit të madh, në vitet ’90, LDK-ja e populli i Kosovës i ngriten themelet e shtetit pikërisht duke krijuar sistem të pavarur të arsimit.
Shtëpitë-shkollë, kanë qenë jo vetëm qendra mësimi, por edhe burim frymëzimi e solidariteti mes njerëzve.
Por, sot arsimi në Kosovë është në gjendje tepër të rëndë, për shkak politizimit të skajshëm, keqmenaxhimit dhe mungesës së vullnetit për zhvillim. Sot, Kosova, krahasuar me secilin vend në rajon e Evropë, investon më së paku për kokë banori në arsim. Prandaj, për fat të keq, rezultatet e PISA-s na rendisin në treshen e fundit në botë.
Për qeverinë e ardhshme, të udhëhequr nga LDK-ja, arsimi do të vijojë të kuptohet si thelbi i ndërtimit të shtetit dhe të një shoqërie demokratike, konkurente dhe të dijes.
























